50 marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës, të ngrira

50 marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës, të ngrira

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë ndër vite kanë nënshkruar rreth 50 marrëveshje, të cilat kishin për qëllim qeverisjen e përbashkët me një vizion euroatlantik, duke filluar nga fusha e ekonomisë e deri tek ajo e shëndetësisë.

Por përveç folklorizmit patriotik e nënshkrimeve në letër të autoriteteve të të dyja shteteve, rezultate konkrete nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve, memorandumeve të bashkëpunimit, si dhe të protokolleve të arritura nuk ka pasur.

Ishte viti 2014 kur qeveritë e të dyja vendeve, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kishin nisur iniciativën për takimet e tyre me qëllim që të nënshkruhen marrëveshje, memorandume, si dhe protokolle, të cilat kishin për synim qeverisjen e përbashkët strategjike të të dyja vendeve në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të arsimit etj.

Të dyja shtetet kishin filluar arritjen e marrëveshjeve pas nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Mirëpo edhe pesë vjet pas nënshkrimit shumë memorandume të bashkëpunimit nuk janë zbatuar duke thelluar kështu edhe më tej ndasitë mes dy vendeve.

Përpos barrierave tregtare ekonomike në mes të dyja vendeve, së fundmi marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri u acaruan me iniciativën për krijimin e një “Mini-Shengeni” për vendet e Ballkanit Perëndimor.