Pas lëndimit të Muriqit, tifozët e kërkojnë këtë lojtar në qendër të sulmit

Pas lëndimit të Muriqit, tifozët e kërkojnë këtë lojtar në qendër të sulmit

Pas konfirmimit të mungesës së Vedat Muriqit për dy ndeshjet e Kosovës, tifozët po preferojnë që Milot Rashica të jetë në vend të Muriqit, pra në qendër të sulmit.

Dje Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka konfirmuar se Vedat Muriqi do t’i mungojë ‘Dardanëve’ në dy ndeshjet e nëntorit.

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në dy ndeshjet e radhës kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen dhe kundër Anglisë, më 17 nëntor në Prishtinë.

E pas mungesës së Muriqit, Rashica po shihet si më i duhuri nga tifozët që të jetë në qendër të sulmit.

Në grupin ‘Maniakë t’futbollit’ në Facebook, është shtruar një pyetje se kë e preferojnë ata në qendër të sulmit pas mungesës së Muriqit, ku opsionet zgjedhëse kanë qenë: Milot Rashica, Bersant Celina, Atdhe Nuhiu dhe Florent Muslija.

Mbi 600 tifozë kosovarë kanë votuar në këtë anketë, ku 516 vota i ka marrë Rashica si më i duhuri që të jetë në qendër të sulmit. Më pas në vend të dytë Celina me 75 vota, Nuhiu me 14 dhe Muslija me 4 vota.

Gjasat që Rashica të jetë sulmues tipik në ndeshjet ndaj Çekisë dhe Anglisë janë të mëdha, pasi që edhe vet ylli i ‘Dardanëve’, ka pohuar se nuk e ka problem një gjë të tillë.

Ai dje në konferencë për media ka folur për Muriqin dhe mundësinë që ai të luajë sulmues.

“Ka me qenë një mungesë shumë e madhe per ne duke e ditur formën në të cilën është duke kaluar. Të luaj si sulmues? Nuk ka problem për mua, unë e bëj këtë në Ëerder shumë shpesh” – ka deklaruar sulmuesi vushtrrias.

Në 7 ndeshjet e zhvilluara me Werder Bremen në Bundesliga, Rashica ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar 3 asiste, duke u bërë njëri ndër lojtarët më në formë të ekipit.

Ndryshe, ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës zhvillohet nesër, ditën e enjte me fillim prej orës 20:45.