Media zvicerane: Kosovarët dikur laheshin në lum, tani mund të kualifikohen në Kampionatin Evropian

Media zvicerane: Kosovarët dikur laheshin në lum, tani mund të kualifikohen në Kampionatin Evropian

Historia e jashtëzakonshme e Kombëtares së Kosovës iu ka shërbyer si mundësi e mirë medieve të njohura botërore të shkruajnë storie emocionuese dhe frymëzuese.

Është tani gazeta e njohur zvicerane, ‘Neue Zurcher Zeitung’, që përmes një artikulli të veçantë është munduar të pasqyrojë historinë emocionuese të Kombëtares së Kosovës.

Me titullin ‘Kosovarët dikur laheshin në lum, tani mund të kualifikohen në kampionatin evropian’, zviceranët përshkruajnë gjithë etapën e futbollit kosovar nga koha e okupimit nga Serbia e deri te lulëzimi i tanishëm.

Protagonisti kryesor i këtij artikulli ka qenë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Salihu është munduar që në mënyrën më të mirë të shpjegoi gjithë proceset në futbollin kosovar, duke treguar se si edhe në kohërat më të vështira, në Kosovë nuk është hequr dorë nga futbolli.

Kosova gjatë kësaj jave, luan dy ndeshje të rëndësishme ku mund të sigurojë kualifikimin në Euro 2020 për herë të parë në histori, në kampanjën e parë kualifikuese.