Dy ndeshje, dy finale, dy dilema të mëdha për trajnerin – cila do të jetë skema e Challandes për sfidat e nëntorit?

Dy ndeshje, dy finale, dy dilema të mëdha për trajnerin – cila do të jetë skema e Challandes për sfidat e nëntorit?

Dy ndeshjet më të rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës po afrojnë. Dy finale, dy rivalët më të vështirë të grupit – një biletë për Euro 2020. Republika e Çekisë dhe Anglia kontestojnë gjithçka. Dardanët kanë një ëndërr.

Katër ditë kanë mbetur para ‘finales së parë’ të cilën Kombëtarja e Kosovës e luan në Plzen të Çekisë. Tri pikët janë jetike për Dardanët, në rrugëtimin e tyre drejt Euro 2020. Një fitore eventuale në Çeki mbanë gjallë shpresat për kualifikimin në finalet e Euro 2020. 3 pikët e Plzen do të ishin motivi për përballjen me gjigantët anglezë, shkruan lajmi.net.

Lojtarë si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Edon Zhegrova e Bersant Celina duken në formën maksimale me skuadrat e tyre. Rashica është nga lojtarët më produktiv në Bundesliga, duke mbajtur ritëm të jashtëzakonshëm me Werder Bremen, kurse për Muriqin fjalët nuk mjaftojnë për përshkruar impaktin e tij në lojën e Fenerbahce. Këto paraqitje sa bëjnë punën diçka më të lehtë për Bernard Challandes, aq edhe koklavitin skemat.

Challandes, njeriu që i dha lavdinë kombëtares Dardane, ai që ka punën më të vështirë, e që besa e kreu me përpikmëri, të paktën deri në këto dy finale, do të përballet me dy dilema të mëdha, për dy finalet e nëntorit. Që nga ndeshja e parë, deri tek ndeshja kundër Malit të Zi, Challandes kishte vetëm një skemë loje – 4-2-3-1.

Ndeshja kundër Malit të Zi sikur tregoi diçka tjetër. Ndonëse në letër u paraqit si një 4-2-3-1 i përhershëm, interpretimi i lojtarëve në fushën e blertë tregonte një 3-5-2 që doli të ishte fantastik e i papërballueshëm për kombëtaren malazeze.

Një Vojvoda më i tërhequr që balanconte linjat e mbrojtjes, i jepte hapësira maksimale Florent Hadërgjonajt në krahun e djathtë. Kurse, në krahun e majtë, Kololli zotëronte krahun duke dominuar Adam Marusic, duke i dhënë kështu Milot Rashicës që të luante si sulmues i dytë, në ndihmë të Vedat Muriqit. Një rrol të rëndësishëm luante edhe maestro Celina, i cili herë – herë ndryshonte pozitat me Rashicën, duke qenë më i spostuar në krahë, kur kombëtarja zbriste me shpejtësi përpara, me Kolollin ‘e vonuar’, shkruan lajmi.net.

Ngjashëm luhej edhe në krahun e djathtë, kur në zbritjet e Hadërgjonaj, ishte Celina ose Rashica që afrohej për kombinimet me të, si dhe Shala që mbyllte trekëndëshin, duke bërë që Vojvoda të ketë mundësinë që të qëndrojë prapa, për të mbuluar hapësirat e mundshme për Malin e Zi.

Kjo metodë loje duket se lindi në Southampton, kur Hadërgjonaj tregonte një tjetër nivel loje, duke kontribuuar shumë në krahun e djathtë. Por, kjo mund të ishte edhe një parapërgatitje për Çekinë, kombëtaren që luan lojën e saj nga krahët. Çekët realizuan golin e vetëm në ‘Fadil Vokrri’ duke zbritur nga krahët, kurse dominuan Anglinë në Pragë me të njëjtën mënyrë loje. Një Hadërgjonaj që mbanë krahun, i ndihmuar nga Vojvoda dhe potencialisht Halimi, do të mbyllnin trekëndëshat potencial të Republikës çeke.

4-2-3-1 apo 3-5-2? Ekuacioni për zgjidhjen vështirësohet edhe më shumë kur fillojmë të shohim formën individuale të lojtarëve. Edon Zhegrova, Florent Hadërgjonaj, Milot Rashica e Vedat Muriqi. Këta janë katër emrat që mund të ‘djegin’ skemat, shkruan lajmi.net.

Forma e Edon Zhegrovës ‘djeg’ Florent Hadërgjonajn?

Edon Zhegrova, një nga më të kritikuarit tek Kombëtarja e Kosovës, ndonëse pa të drejtë, duket se ka filluar të rilindë tek Basel. I riu kosovar ka distancuar vetën nga jeta e rrjeteve sociale dhe tashmë ka fituar një pozitë në formacionin startues të skuadrës zvicërane. Anësori i Kosovës luajti për 88’ minuta në ndeshjen e Ligës së Evropës, kundër Getafe, duke u shpallur lojtari i ndeshjes. Anash driblimeve fenomenale, ajo që linte përshtypje edhe më të madhe ishte pjekuria që  Edoni tregonte në fushë.
Një gjë e tillë u pa edhe në ndeshjen paraprake, ku Basel përballej me Xamax. Aty Zhegrova dhuroi një asist për Kemal Ademin, i cili barazonte shifrat në 1:1.
Kjo formë e lartë mund të bëjë që Florent Hadërgjonaj të lihet në bankën rezervë, duke i kthyer në lojë trajnerit Challandes  kartën e tij të preferuar; atë të 4-2-3-1, duke pasur parasysh se Zhegrova nuk është nga lojtarët që mund të aktivizohet në komplet krahun, pasi loja e tij defensive dhe angazhimi nuk vlerësohen lartë.

Hadërgjonaj njihet si lojtar me përgatitje të lartë fizike, i cili pa problem kontrollon krahun e djathtë, duke luajtur shumicën e kohës në një sistem 3-5-2/5-3-2 tek Huddersfield. Por, është pikërisht Huddersfield problemi i mbrojtësit kosovar. ‘Tigri i Kosovës’ ka humbur balotazhin me Danny Simpson, dhe tashmë shumicën e kohës qëndron në bankën rezervë. Kjo i jep disavantazh atij edhe në balotazhin me Zhegrovën, përpara Challandes, duke ulur mundësitë për një 3-5-2 të mundshëm ndaj Çekisë.

Gjithsesi, dilemat nuk përfundojnë këtu. Shpresat nuk humbin për Hadërgjonaj, kur në ekuacion futet edhe Milot Rashica.
Ylli i Werder Bremen po kalon në një periudhë të jashtëzakonshme, ndoshta më të mirën në karrierën e tij. Rashica po shkëlqen në Bundesliga, duke kthyer në një problem të thjeshtë për të gjetjen e golit. Por, këtë gjë ai ka arritur ta bëjë duke luajtur në një sistem 4-3-1-2, ku ai mban pozitën e sulmuesit, i spostuar nga krahu i majtë – sistem ky që i hap mundësinë Challandes për një interpretim loje me dy sulmues, siç ndodhi edhe kundër Malit të Zi.

Dy ndeshje, dy finale, dy dilema kryesore për Bernard Challandes: 4-2-3-1 apo 3-5-2? A do të ndikojë forma e Edon Zhegrovës në minutat e Florent Hadërgjonaj, madje në gjithë sistemin e Challandes, duke ‘imponuar’ një 4-2-3-1? Po forma e lartë e Milot Rashicës si sulmues i dytë? Challandes do të ketë punë të madhe këto katër ditë, për të qartësuar idetë e tij. Zvicërani nuk dëshpëroi asnjëherë. Një gjë të tillë shpresojmë të mos e bëjë as në Plzen, por as në ‘Fadil Vokrri’.

Punë e vështirë për Challandes. Punë e vështirë për Kombëtaren e Kosovës. Ëndërr e madhe për Dardanët – EURO 2020.