Messi shënoi më shumë gola nga gjuajtjet e lira kundër Celtas sesa Ronaldo në 694 ditë

Messi shënoi më shumë gola nga gjuajtjet e lira kundër Celtas sesa Ronaldo në 694 ditë

Rivaliteti mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldo në garën se cili është më i miri në botë ka vazhduar edhe pas largimit të portugezit nga Spanja. Së fundi, Messi i fitoi zemrat e tifozëve me het-trikun e tij kundër Celta Vigos.

Barcelona nuk ishte në formën më të mirë të mundshme kundër një Celta Vigos në vështirësi, mirëpo Messi, i cili i kishte shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshjet paraprake, shënoi nga një penallti dhe dy gjuajtje të lira për t’ia siguruar Barcelonës tre pikët e radhës të shtunën.

Ky ishte het-triku i 34-të i Messit në karrierën e tij në La Liga, duke u barazuar kështu me Cristiano Ronaldon. Megjithatë disa het-trike janë më mbresëlënës sesa të tjerë dhe het-triku i Messit e mori vëmendjen e shumë tifozëve të shtunën.

Goli i tij i parë erdhi nga pika e penalltisë, mirëpo dy golat vijues ishin të jashtëzakonshëm, nga gjuajtjet e lira, që ishin golat e 51 dhe 52-të të Messit nga gjuajtjet e lira në karrierë.

E statistikat mbresëlënëse të Messit nga gjuajtjet e lira kanë bërë që në debat të përmendet sërish emri i rivalit të tij të vjetër, Cristiano Ronaldos.

Ronaldo është ende në kërkim të golit të tij të parë nga gjuajtja e lirë për Juventusin, edhe pse, nëse Aaron Ramsey nuk do të kishte ndërhyrë në ndeshjen e fundit, Ronaldo do ta kishte regjistruar golin e tij të parë me italianët nga gjuajtja e lirë.

Megjithatë, një statistikë më qesharake u bë virale të shtunën në rrjete sociale. Kjo pasi që Messi shënoi më shumë gola nga gjuajtjet e lira mbrëmë kundër Celta Vigos sesa që Ronaldo ka shënuar në 694 ditët e fundit.

Pas ndeshjes, dy ndër bashkëlojtarët e Messit e përshkruan paraqitjen e kapitenit të tyre.

“Sinqerisht, Messi po na frikëson të gjithëve. Kur ai e goditi topin, ne e dinim se do të shënonte gol. Është kënaqësi të luash me atë gjeni”, tha Sergi Roberto.

Ndërsa, Junior Firpo shtoi: “Gjëja më e mirë që mund ta bëjë një portier kur Messi është duke e marrë topin në një gjuajtje të lirë është të lutet”.