Vjosa Osmani dëshiron koalicion me Vetëvendosjen, tregon se kur do të arrihet

Vjosa Osmani dëshiron koalicion me Vetëvendosjen, tregon se kur do të arrihet

Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani po shprehet optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Vetëvendosjen do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Osmani tha se koalicioni me VV do të arrihet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ’ja, sipas saj dy grupet e partive tanimë janë duke u takuar për të folur për programin qeverisës.

“Siç e dini, të dy partitë kanë shprehur vullnet të mirë që të negociojnë për një koalicion qeverisës. Tani ne përkundër faktit që e presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për të arritur një marrëveshje finale, natyrisht që puna apo kontaktet ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk janë ndërprerë në asnjë moment. Përveç takimeve formale kemi edhe kontaktet joformale pothuajse në baza ditore, kurse takimet ndërmjet grupeve punuese të cilat po tentojnë harmonizimin e programit po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër, pra të mërkurën, ku do të diskutohet edhe më tej për fuzionimin e ministrive, për mënyrën se si mund të funksionojnë ato, por edhe për disa çështje të tjera programore që do të jenë sfidat e para me të cilat do të ballafaqohen të dy partitë.

Një nga temat e radhës, për të cilën duhet të kemi një harmonizim 100 për qind është fusha e politikës së jashtme dhe besoj që pas këtij takimi të mërkurën, ne do të dakordohemi me Vetëvendosjen për një takim të radhës ku edhe do të diskutojmë, siç e thash, për këtë fushë ku kryesisht fokusi do të jetë te dialogu Kosovë-Serbi.

Por, kryesisht këto ditë po flasim për ekonominë për çështjet sociale, pra ka tema të shumta për të cilat është më rendësi ta gjejmë pajtimin tani në këtë fazë që po i presim rezultatet finale, në mënyrë që pastaj mos të humbim shumë kohë pas certifikimit të rezultateve dhe të arrijmë një marrëveshje politike lidhur me bashkëqeverisjen, gjithnjë duke marrë parasysh këtë vullnet të mirë që e kanë treguar të dyja partitë”, tha Osmani për Radio Evropa e Lirë.

Osmani po ashtu flet për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, për cilën thotë se nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.