Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti mëngjesin e së dielës e ka nisur në takim me përfaqësuesin e koalicionit “Sloboda”, Nenad Rashiq.
Ai pas takimit ka folur për media, duke shpjeguar edhe disa nga detajet e takimit dhe bisedën që pati me Rashiq.
Ndër të tjera, Kurti tha se Rashiq është njëri ndër ministrat më të mirë që Kosova ka pasur, që nga shpallja e pavarësisë.
“Është për të ardhur keq që nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe dekomkratike në komunitetin serb. Dhe gjithashtu zotëri Rashiq nuk e ka asnjë aferë, apo skandal. Rashiq është njëri nga ministrat më të mirë që ka pasur Kosova, pas shpalljes së Pavarësisë. Kemi folur për parregullsitë që kanë përcjellë zgjedhjet në komunat serbe. Nuk ishte një takim për diskutim të një koalicioni të mundshëm për formimin e Qeverisë, meqenëse aty do të merremi më shumë me LDK-në. Isha i interesuar që të flas në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve nga një person që ka qenë vet pjesë e kandidaturës”, tha Kurti pasi doli nga takimi.
“Kemi edhe obligim Kushtetues që komunitetet t’i integrojmë, jo vetëm komunitetin serb, por edhe boshnjak. Për mua ishte shumë e vlefshme që të shoh për së afërmi, ndikimet e dëmshme, që bëhen mbi qytetarët serbë të vendit tonë”, u shpreh Kurti.