Mbi 40 bastore veç të një kompanie në Kosovë, kazinotë përdorin kode për t’u fshehur nga policia

Lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj në Kosovë.

Që nga marsi i këtij viti, çdo veprimtari e basteve dhe lojërave të fatit në Kosovë është e ndaluar me ligj, dhe secili që ushtron këtë veprimtari do të ndiqet penalisht nga institucionet e drejtësisë, shkruan lajmi.net.

Menjëherë pas vendimit të institucioneve, subjekteve të lojërave të fatit u janë revokuar licencat, gjë që ua pamundëson atyre operimin brenda territorit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, pronarët e kompanive të basteve kanë gjetur mënyra mjaft të sofistikuara për të kryer jashtëligjshëm veprimtarinë e tyre.

Ato aktualisht janë duke operuar në formë “online”, në të cilën kryhen të gjitha veprimtaritë e lojërave të fatit, njëlloj si ato të ishin të hapura.

Bastore, kazino e lojëra të tjera, janë disa nga opsionet që këto kompani ofrojnë në ueb-faqet e tyre.



Lojëra online kazino në Kosovë.

 

Përdoruesi i këtyre aplikacioneve të ueb-faqeve,  fillimisht paratë për të luajtur i dorëzon në lokacionin e kompanisë së basteve.

Ai mund të luaj pa asnjë problem në këto ueb-faqe, dhe nëse fiton nga kjo veprimtari ai mund të kryej tërheqje në pikat e bastores.

Këto të fundit, operojnë krejtësisht të maskuara dhe ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.

E forma të cilën këto kompani i identifikojnë pikat e tyre në Kosovë, është krejtësisht e koduar, pa adresë dhe emër të lagjes apo qytetit.


Lajmi.net ka parë se vetëm një kompani e cila operon ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, ka afër 44 pika të hapura në  vend.

Të gjitha këto kompani, e kanë edhe një mundësi që veprimtarinë e tyre ta kthejnë në të ligjshme.

Arsyeja qëndron në faktin se Shoqata e Kompanive të Lojërave të Fatit në Gjykatën Kushtetuese e ka dorëzuar si apel për ta verifikuar ligjshmërinë e vendimit për mbylljen e bastoreve.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga vetë kjo shoqatë, teksa Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim.