• E mërkurë / Nov-13 06:27
  • Kontakt

Tre shefa të Volkswagen akuzohen për manipulim të tregut

Tre shefa të Volkswagen akuzohen për manipulim të tregut

Tre shefa ekzekutivë aktualë dhe të mëparshëm të Volkswagen janë akuzuar për manipulim tregu në lidhje me skandalin e emetimit të gazeve karbonike nga nafta. Shefi ekzekutiv Herbert Diess, drejtuesi Hans Dieter Pötsch dhe ish-shefi Martin Winterkorn nuk i informuan investitorët mjaftueshëm herët për dëmet financiare, akuzojnë prokurorët gjermanë.

Firma e pranoi se në vitin 2015 përdori software të paligjshme për të dhënë rezultate të rreme në testet e emetimit.

Volkswagen tha se ishin të sigurt që akuzat do të vërtetoheshin që janë të pabaza. Diess do të vazhdojë që të jetë shef ekzekutiv, thanë për Reuters avokatët e kompanisë.

“Kompania e ka hetuar me përpikëri këtë çështje me ndihmesën e ekspertëve ligjorë të brendshëm dhe të jashtëm për pothuajse katër vite. Rezultati është i qartë se akuzat janë të pabaza”, tha kompania gjermane në një deklaratë.

Avokatët si për Winterkorn dhe për Pötsch kanë thënë se të dy të pafajshëm, ndërsa avokati i Diess, tha se shefi ekzekutiv aktual nuk iu bashkua Volkswagen deri në muajin korrik të 2015-së dhe nuk ka pasur asnjë ide mbi përhapjen e skandalit.

Skandali i Volkswagen shpërtheu në muajin shtator të 2015-së, kur kompania pranoi se 600 mijë makina të shitura në SHBA u testuan me “pajisje mashtruese” të dizajnuara për të anashkaluar testet e emetimit. Miliona të tjera rreth e qark botës gjithashtu përdorën ato pajisje nga viti 2009 deri në vitin 2015.