• E mërkurë / Nov-13 06:43
  • Kontakt

Pse falimentoi operatori turistik ikonë Thomas Cook?

Pse falimentoi operatori turistik ikonë Thomas Cook?

Pas 178 vitesh në treg, Thomas Cook, firma më e vjetër e udhëtimeve në Britani të Madhe ka falimentuar.

Rreth 600 mijë persona mbetën “mes katër rrugëve”.

Njoftimi i shefit ekzekutiv të kompanisë, Peter Fankhauser erdhi pasi bordi dështoi të siguronte një marrëveshje me qeverinë, për t’a shpëtuar nga borxhi 1.6 miliard sterlina sterlina.

Por, kur u kthye gjithçka përmbys?

Sipas redaktorit të The Independent, Simon Calder, telashet e Thomas Cook erdhën pasi kompania po i qëndronte besnike “të vjetrës” dhe refuzoi të transformohej e të ecte me hapat e kohës.

“Thomas Cook solli revolucionin e udhëtimeve, bëri gjëra të mrekullueshme, industrializuan udhëtimet, shpikën paketat e udhëtimeve. Por në fund të shekullit XX, e veçanërisht në fillim të shekullit XXI, kompania e shpërqendroi vëmendjen. Nuk arritën të kuptonin se njerëzit, sidomos të rinjtë, nuk po përdorin më agjencitë e udhëtimeve, në të cilat duhet të paraqiten fizikisht”.

Ai theksoi faktin se firma më e vjetër e udhëtimeve nuk i kushtoi rëndësi linjave të mëdha ajrore “low-cost”, si EasyJet apo Ryanair.

Sipas Qendrës britanike të Aviacionit, Thomas Cook vitin e kaluar transportoi 20 milionë pasagjerë.

Katër linjat ajrore të grupit do të pushojnë me fluturimet e tyre dhe 12 mijë punëtorët e saj në 16 vende si dhe nëntë mijë në Britani të Madhe pritet të humbasin punën e tyre për shkak të falimentimit.