Babai i Neymarit: S’kanë mbaruar negociatat mes Barcelonës dhe PSG-së

Babai i Neymarit: S’kanë mbaruar negociatat mes Barcelonës dhe PSG-së

Paris Saint-Germaini dhe Barcelona kanë ende mundësi të arrijnë marrëveshje për transferimin e Neymarit pasi që negociatat nuk kanë marrë fund, sipas agjentit dhe babait të futbollistit.

Neymari kishte qenë i përfolur vazhdimisht këtë verë për një kthim në Camp Nou para se të mbyllet afati kalimtar këtë muaj. Mediat spanjolle raportonin se ai ishte shumë afër transferimit.

Ylli brazilian thuhej se dëshironte të kthehej në Barcelonë vetëm dy vjet pasi e la në mënyrë tronditëse klubin katalonas për Paris Saint-Germainin, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në histori, pasi që francezët paguan 222 milionë euro për të.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, e konfirmoi se Neymari dëshironte të largohet nga klubi dhe ishte për shitje nëse vinte oferta e duhur nga ndonjë klub. Mirëpo, Barcelona dhe PSG-ja nuk arritën marrëveshje, ndërsa francezët refuzuan edhe ofertat e Real Madridit.

Tani Neymari, i cili i ka edhe tre vjet në kontratën e tij me klubin parisien, do të duhet të luajë në Ligue 1 të paktën për këtë sezon të ri. Megjithatë, babai i tij, Neymar Senior, ka shtuar sërish dyshime për të ardhmen e futbollistit.

“Negociatat mes klubeve nuk kanë marrë fund”, tha ai, përderisa po merrte pjesë në një konferencë sportive në Edinburgh.

“Një brazilian thjesht dëshiron të jetë aty ku është i lumtur dhe ai ishte i lumtur në Barcelonë. Kur shokët e pyesin se a dëshiron të kthehet atje, ai mërzitet”.

“Si agjent, ti ndihesh i dobët kur nuk ka asnjë strukturë që të lejon të vish e të shkosh. Nuk ka asnjë klauzolë për shkëputjen e kontratës së tij dhe kjo i vështirëson shumë gjërat”.

“Ne luftuam për të gjetur marrëveshje. E dhamë më të mirën tonë për të”.