“De Ligt e zgjodhi Juven para Barçës dhe Man United për ta fituar Ligën e Kampionëve”

“De Ligt e zgjodhi Juven para Barçës dhe Man United për ta fituar Ligën e Kampionëve”

Vendimi i Matthijs de Ligt për t’iu bashkuar Juventusit me gjithë interesimin e madh që Barcelona dhe Manchester Unitedin e kishin shfaqur për të mund të jetë frymëzuar nga mundësia e madhe e gjigantit italian për ta fituar Ligën e Kampionëve, sipas Mario Melchiot, ish-përfaqësuesit të Holandës.

De Ligt ishte mbrojtësi më i kërkuar gjatë afatit kalimtar të kësaj vere në Evropë, pasi i kishte ndihmuar Ajaxit ta fitojë ligën dhe kupën vendore, si dhe të arrijë deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Ai kërkohej nga një numër klubesh të mëdha, por në fund vendosi t’i bashkohet kampionit italian Juventus për 75 milionë euro dhe nënshkroi kontratë pesëvjeçare.

Melchiot beson se fakti që Juventusi është ndër favoritët më të mëdhenj për ta fituar garën më prestigjioze evropiane dhe respekti që futbolli italian ka për mbrojtësit janë ndër arsyet pse 19-vjeçari e zgjodhi klubin bardhezi.

“Në Itali i respektojnë mbrojtësit. Futbolli italian është rikthyer aty ku meriton të jetë. Yjet shkojnë për të luajtur atje. Mendoj se Juventusi është favorit i madh për ta fituar Ligën e Kampionëve”, tha Melchiot.

“De Ligt është yll ekipi. Ai e luan futbollin sikur të kishte përvojë 10-vjeçare. Man United? Është një ekip i parehatshëm. Është në ndërtim e sipër”, shtoi ai.

“Barcelona? Edhe ky klub po përjeton ndryshme dhe nuk konsiderohet i suksesshëm nëse nuk e arrin finalen në Ligën e Kampionëve. Juventusi duket se është afër ta fitojë dhe këtë sezon mund ta kenë mundësinë më të mirë për ta fituar. Prandaj ai e mori këtë vendim”, theksoi ai.