Neymari i thotë PSG-së se e do vetëm Barcelonën

Neymari i thotë PSG-së se e do vetëm Barcelonën

Nëse Barcelona dëshironte që Neymari ta bëjë të qartë synimin e tij dhe t’i bëjë presion Paris Saint-Germainit për ta lejuar atë të kthehet në “Camp Nou”, atëherë dëshira e tyre është realizuar.

Veprimi i Neymarit është privat, jo publik siç kishte kërkuar fillimisht Barcelona. Mirëpo, katalonasit do t’i gëzohen lajmit që Neymari i ka thënë drejtorit të PSG-së, Leonardos, se e do vetëm transferimin në Barcelonë, shkruan Marca.

Futbollisti është i vetëdijshëm se Barcelona është duke e përgatitur edhe një ofertë të tretë dhe është i vetëdijshëm se tani është momenti vendimtar për t’i dhënë fund kësaj sage të transferimit.

Tani i është bërë e qartë Leonardos se braziliani dëshiron të kthehet te ish-klubi i tij e nuk dëshiron transferimin në Juventus ose Real Madrid.

Një delegacion i blaugranëve udhëtoi në Paris të martën për t’u takuar me Nasser Al-Khelaifin dhe Leonardon. Aty katalonasit e prezantuan ofertën e tyre të re – 170 milionë euro dhe Ousmane Dembele.

Mediat franceze kanë raportuar se Paris Saint-Germainit do t’i pëlqente që në këtë marrëveshje të përfshihet edhe Nelson Semedo, mirëpo mbrojtësi i krahut të djathtë nuk dëshiron të transferohet në “Parc des Princes”.

Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë para se të mbyllet afati kalimtar i verës dhe Barcelonës i janë rritur shpresat se do të kompletohet ky transferim për shkak të dëshirës së tij për t’u transferuar në Camp Nou.

Megjithatë, Juventusi dhe Real Madridi janë ende duke e vëzhguar situatën pasi që asgjë nuk është vendosur ende.