Gjergj Dedajt ia rrok përsëri, bëhet zëvendësministër i Jashtëm

Gjergj Dedaj nuk e merr titullin e ish-zëvendësministrit as këtë mandat....

Ai do të vazhdojë ta mbajë pozitën e rehatshme të zv.ministrit edhe në Qeverinë "Haradinaj". Dedaj tani do të veprojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gjergj Dedaj këtë mandat do të jetë pjesë e Ministrisë së Jashtme që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, eksperienca e tij në postin e vartësit të ministrave është e gjatë.

Dedaj ishte emëruar në vitin 2010 zv.ministër i Transportit për t'u shkarkuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, për keqpërdorime të detyrës më parë kur ishte zv.ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Qeveritë ndërroheshin, por Gjergj Dedaj mbetej gjithmonë zv.ministër. Me ndryshimin e shefave të qeverive, Dedajt ndryshonte vetëm dikasterin.

Në Qeverinë e Isa Mustafës, Gjergj Dedaj, ishte emëruar zv. ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Qeveria "Haradinaj" bashkë me të numëron mbi 50 zv.ministra tjerë të emëruar deri më tani.