Irani mirëpret përpjekjet e Francës për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore

Irani mirëpret përpjekjet e Francës për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se vendi i tij i mirëpret përpjekjet e Francës për ta ruajtur marrëveshjen e vitit 2015 për armët bërthamore. Këto deklarata u dhanë pas vizitës së këshilltarit kryesor diplomatik të presidentit francez në Tehran.

Irani kërcënoi të hënën se do t’i rivë në funksion centrifugat e deaktivizuara dhe do ta shtojë pasurimin e uraniumit me pastërti deri në 20 për qind, gjë që bie në kundërshtim me pikat e marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha, e cila ishte nënshkruar mes Iranit dhe shteteve kryesore në vitin 2015.

Tehrani u ka bërë presion shteteve evropiane që ta mbrojnë Iranin nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara, të cilat u rivendosën pas largimit të ShBA-së nga marrëveshja bërthamore vitin e kaluar.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, IRNA, raportoi se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Abbas Mousavi, e mirëpret rolin e Francës në uljen e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare për armët bërthamore.

“Francezët janë pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë marrëveshjen bërthamore”, tha Mousavi gjatë vizitës së Emmanuel Bonne-s, këshilltarit kryesor diplomatik të presidentit Macron, shkruan “Reuters”.