Trump i jep përgjegjësi të reja Prokurorit të Përgjithshëm

Trump i jep përgjegjësi të reja Prokurorit të Përgjithshëm

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar agjencitë amerikane të Inteligjencës që të bashkëpunojnë me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, rreth të gjeturave të Këshilltarit Special, Robert Mueller, gjatë hetimeve që ka zhvilluar për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Kësaj here, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të hetojë nëse fushata e presidentit Trump është spiunuar gjatë fushatës zgjedhore.

Vendimi i Trumpit shënon hapin tjetër që ka bërë Shtëpia e Bardhë me qëllim të zbehjes së përfundimeve që kanë dalë nga raporti i Muellerit.

Bazuar në të gjeturat e publikuara nga ky raport, agjencitë amerikane të Inteligjencës kanë pasur të drejtë kur kanë deklaruar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së, mirëpo nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se ekipi i presidentit ka penguar drejtësinë.

Prej publikimit të raportit, Trump dhe disa aleatë republikanë kanë bërë thirrje për të “hetuar, hetuesit” e përfshirë në hetime.

Ky hetim është hapur fillimisht nga FBI-ja, mirëpo më pas në të është angazhuar Mueller, meqë Trump pati shkarkuar James Comey-n nga pozita e udhëheqësit të FBI-së.

Shefi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Prokurori, William Barr, ka supozuar se FBI-ja ka “spiunuar” fushatën e Trumpit, ndonëse një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga drejtori aktual i FBI-së.