• E mërkurë / Jul-23 02:24
  • Kontakt

Deputetët e Komisionit Hetimor: Blerim Devolli solli në falimentim Telekomin e Kosovës

Deputetët e Komisionit Hetimor: Blerim Devolli solli në falimentim Telekomin e Kosovës

Deputetët të cilët janë pjesë e Komisionit Hetimor për krizën në Telekomin e Kosovës, thonë se në këtë gjendje tejet të rëndë dhe pranë falimentimit të këtij institucioni publik e ka bërë Blerim Devolli, pronari i kompanisë së madhe ‘Devolli Corporation’ dhe i ‘Z-Mobile’.

Deputetët thonë se kur shefi i Z-Mobile, Blerim Devolli kishte filluar të nisë marrëveshjet dhe të nënshkruaj kontrata të dëmshme me Telekomin e Kosovës, ka filluar keqësimi dhe shkatërrimi i Telekomit.

Kjo ndërmarrje momentalisht ka një ultimatum për pagesën e një borxhi mbi 25 milionë euro ndaj kompanisë Z Mobile, nën kërcënim se ky borxh do të përmbarohet.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka miratuar një listë të personave që do të intervistohen lidhur me gjendjen e ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës.

“Intervistat do të fillojnë nga menaxhmenti, Bordi e më tej te përfshirja politika, fillimisht me menaxhmentit gjatë të cilit është nënshkruar kontrata”, tha deputeti i Partisë SocialDemokrate, Visar Ymeri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, propozoi që në listë të futet zyra ligjore që e ka mbrojtur Telekomin e Kosovës në Arbitrazh.

Deputetja e LVV’së, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për Telekomin se Blerim Devolli së fundmi ka drejtuar kërcënime në drejtim të Telekomit.

“Së fundi ka pasur kërcënime të Blerim Devollit karshi Telekomit për vendimit të Arbitrazhit dhe kjo është një rrethanë e re. E kuptoj që e drejta jonë, por duhet të kërkojmë zgjidhje nga Gjykata që të pezullohet përkohësisht..Shqetësim të shumicës së subjekteve publike, kërkoj publikisht që ta mbështesni një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e Telekomit. Propozim është që të futet një pikë e rendit të ditës për kërcënimin që ia ka bërë Blerim Devolli, Telekomit”, tha Haxhiu, transmeton Gazeta Metro.

Ndërsa, Armend Zemaj nga LDK, tha se është pro që të mbahet seanca por duke mos e përfshirë edhe punën hetimore të Komisionit.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se marrëveshja e parë që është nënshkruar nga Blerim Devolli dhe Adnan Merovci dhe marrëveshja mes PTK së dhe Shyqyri Haxhajt, nuk është vula e njëjtë, nuk është e njëjta kompani.

“Këtu ka diçka, po flasim për dy kompani të ndryshme. I kam shiku edhe të tjerat, anekset nuk janë të nënshkruara, nuk janë të vulosura edhe pse ato janë pjesë e marrëveshjes. Pra t’i shikojmë se a janë ofru ato produkte, ku kanë shku ato miliona. Kemi me hetu denjësisht edhe kemi me dalë me konkluzione. Gjendja që ka ardhë deri këtu, nuk kam pa me ia marrë dikujt produktin edhe ti me i fitu 75 përqind edhe në fund me falimentu, kjo është zhvatje. Unë jam me diskutu në Kuvend, me Qeverinë që me nxjerrë Telekomin prej situatës. Nëse ka marrë dividentë prej Telekomit tash duhet me marrë përgjegjësinë me nxjerrë prej situatës”, tha Haxhiu.

Milaim Zeka, deputet i NSD-së tha se Sindikata e Telekomit kanë heshtur në kohën e nënshkrimit të kontratave.

“Kjo çka është duke ndodhur me Telekomin nuk është fare dramatike për mu. Edhe nëse mbyllet krejt Telekomi nuk është aspak dramatike. Sindikata e Telekomit është dashtë me reagu në momentin që është nënshkru kontrata. Krim kanë bërë ata që kanë dhënë çelësat e Telekomit Blerim Devollit. Pse a nuk po kemi Gjykatë e Prokurori që e kish vërtetu atë që e përmendi deputeti Haxhiu për vula e nënshkrime, a munden me u dënu për falsifikime. Dikush prej politikanëve iu ka thënë me e nënshkru atë kontratë se ata nuk e kanë bërë krye në veti”, tha Zeka.