Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pas takimin me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini në Berlin ka thënë se në këtë takim janë biseduar çështje të ndryshme për Kosovën, duke nisur me liberalizimin e vizave, procesin e dialogut, si dhe njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur.
Thaçi ka theksuar se Kosova nuk kërkon liberalizimin e vizave si dhuratë, por se sipas tij e meriton.
“Biseduam për të gjitha angazhimet që i kemi ne si Kosovë përballë Bashkimit Evropian, por edhe kontratën që BE e ka me qytetarët e Kosovës. Ritheksova domosdoshmërinë që për Kosovën të ndodhë vendimi edhe i shteteve anëtare të BE-së, sa më shpejt për liberalizimine vizave. Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e domosdoshme, 95 prej tyre. Ndërsa vendet e rajonit 55 i kanë plotësuar, pra për ne ka qenë standard i dyfishtë por ne i kemi kryer detyrat tona. Liberalizimi i vizave nuk është që po e kërkojmë si dhuratë, apo shpërblim, është diçka që e meritojmë, është kontratë me qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në këtë proces.