Begaj thotë së në Malishevë ka më shumë investime, prejse Nisma është pjesë Qeverisë

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se gjatë kësaj pjese të mandatit në tërsi i kanë realizuar pesë projekte, ndërsa thotë se...

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se gjatë kësaj pjese të mandatit në tërsi i kanë realizuar pesë projekte, ndërsa thotë se tre janë gjysmë të përfunduara dhe tetë tjera i kanë filluar.

Begaj gjatë një interviste për lajmi.net ka thënë se gjatë kësaj pjese të mbetur të mandatit do të realizojnë të gjitha projektet.

I pari i Malishevës ka folur edhe për ethet hemorragjike.

Ai ka thënë se komuna i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike.

Sipas tij, si rezultat i kësaj kanë kaluar pesë vite dhe tani është viti i gjashtë që nuk ka asnjë rast me vdekje në Malishevë nga pickimi i rriqrave.

Tutje Begaj ka folur edhe për mungesën e ujit të pijshëm, derisa ka shtuar beson se deri në përfundim të mandatit mbi 95% e territorit të Malishevës do të mbulohet me rrjet të ujësjellësit.

Begaj po ashtu ka thënë se bashkë me donatorët kanë ndërtuar 13 shtëpi (7 komuna dhe 5 donatorët), derisa shton se vitin e kaluar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë filluar me ndërtimin e objektit të Qendrës së Banimit Social, ku do të strehon edhe 40 familje tjera në nevojë.

Ai po ashtu ka thënë se jo vetëm nga ish qeveria-Mustafa, por edhe më herët, Komuna e Malishevës, ka qenë e diskriminuar në ndarjen proporcionale të investimeve qeveritare në komunat e vendit. Derisa shton se tani kanë përkrahje nga Qeveria.

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Sipas raportit të Institutit GAP, gjatë kësaj pjese të mandatit keni realizuar vetëm 5 projekte që keni premtuar në fushatë, çfarë ka ndodhur me të tjerat?

 Begaj: Sipas GAP-it dhe sipas realitetit, ne nga 21 premtime, 5 i kemi    realizuar në tërësi, 3 janë gjysmë të përfunduara, 8 tjera kanë filluar dhe kanë mbetur vetëm edhe 5 premtime tjera, të cilat do të realizohen në vazhdim, pasi nga 21 premtimet, 16 prej tyre janë realizuar apo janë në realizim e sipër, vetëm në vitin e parë të këtij mandati, ndërsa i kemi edhe tri vite tjera në këtë mandat.

Lajmi.net: Keni premtuar ndërtimin e çerdhes së dytë me kapacitet për 80 fëmijë, pse nuk është përfunduar ende?

Begaj: Është ndarë buxheti dhe është i planifikuar të filloj ndërtimit në këtë vit.

Lajmi.net: Çfarë ka ndodhur me projektin për ndërtimin e tri shkollave të reja në fshatrat Ponoc, Gurbardhë dhe Malishevë?

Begaj:  Shkolla në Panorc, ka filluar të ndërtohet në vitin e kaluar. Në Gurbardh do të filloj këtë vit dhe shkolla në Malishevë, është projekt që do t financohet nga MASHT-i dhe pritet të filloj ndërtimi në këtë vit.

Lajmi.net: Një tjetër problem me të cilin përballën qytetaret e komunës suaj është edhe mungesa e ujësjellësit. Pse nuk është zgjedhur ende?

Begaj: Ujësjellësi është i ndërtuar në një pjesë të territorit të Komunës së Malishevës, ndërsa pjesa tjetër është në përfundim e sipër dhe me përfundimin e kësaj pjese, rreth 80% e territorit të Komunës së Malishevës, do të mbulohet me rrjet të ujësjellësit. Deri në përfundim të mandatit, besojmë që do të mbulohet mbi 95% e territorit.

Lajmi.net: Në disa shkolla të komunës së Malishevës, kemi informacione se ka mësimdhënës që janë të punësuar me kontrata, të cilët që 6 muaj nuk kanë marrë paga. Cila është vërteta?

Begaj: Këtë muaj, janë futur në listën e pagave të rregullta. Se pse kanë mbetur deri tani, është shkaku i numrit të madh të lehonave dhe sistemi i pagave nuk ka lejuar futjen e tyre në listë, për shkak të numrit fizikë. Tani kjo është e rregulluar.

Lajmi.net: Lëvizja Vetëvendosje, dega në Malishevë ju kishte akuzuar për investimet të cilësisë së dobët në infrastrukturën e kësaj komune, cila është e vërteta?

Begaj: Realisht nuk presim që partitë opozitare të na lavdërojnë, jo vetëm për projekte, por për asgjë tjetër. Pra as nga LVV nuk presim lëvdata. Me rëndësi është që qytetari i ka pritë mirë të gjitha investimet dhe këtë e kanë treguar me votën e tyre.

Lajmi.net: Problem në komunën tuaj janë edhe ethet hemorragjike “Krime Kongo”. Cilat janë masat që ka marr komuna për të parandaluar këtë sëmundje?

Begaj: Komuna i ka marrë të gjitha masat preventive të parapara nga Strategjia Nacionale për Luftimin dhe Parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK). Si rezultat i kësaj, i kemi kaluar pesë vite dhe tani jemi në vitin e gjashtë që nuk kemi asnjë rast vdekje, apo infektimi me virusin e EHKK.

Lajmi.net: Keni premtuar ndërtimin e 20 shtëpive për familjet skamnore. Sa shtëpi janë ndërtuar deri me tani?

Begaj: Përmirësimi i jetesës dhe rritja e mirëqenies sociale, përfshi edhe sigurimin e banimit për rastet në nevojë, për qytetarët e komunës së sonë, është në prioritet dhe pjesë e programit tonë qeverisës. Edhe pse nuk i kemi premtuar ndërtimin e shtëpive, ne gjatë vitit të kaluar, bashkë me donatorët tjerë,  kemi ndërtuar 13 shtëpi (7 komuna dhe 5 donatorët). Përveç kësaj, ne vitin e kaluar, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi filluar me ndërtimin e objektit të Qendrës së Banimit Social, ku do të strehon edhe 40 familje tjera në nevojë.

Lajmi.net: A ka komuna e Malishevës potenciale të mjaftueshme për një zhvillim ekonomik? Ç’synime keni në këtë drejtim?

Begaj: Ka potencial të zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë, pasi e kemi këtë përparësi. Po ashtu është në procedurë edhe ndërtimi i Zonës Ekonomike, ku ka interesim të madh të kompanive ndërkombëtare dhe vendore, për të hapur njësit e tyre.

Lajmi.net: Duke qenë se partia juaj NISMA, është në udhëheqjen qendrore, a keni përkrahje më tepër krahasuar me ish-qeverinë Mustafa?

Begaj: Po. Jo vetëm nga ish qeveria-Mustafa, por edhe më herët, Komuna e Malishevës, ka qenë e diskriminuar në ndarjen proporcionale të investimeve qeveritare në komunat e vendit. Tani kemi përkrahje, ndoshta jo më tepër, por së paku kemi një ndarje proporcionale të investimeve qeveritare.

Lajmi.net: Në Malishevë përballë keni një opozitë të fortë. Si i shihni akuzat e tyre që bëhen ndaj qeverisë suaj?

Begaj: Është opozitë që ka numra më shumë, por nuk e shoh si opozitë të fortë. Roli i opozitës është që të jetë kritik në raport me qeverinë dhe kjo është normale në demokraci. Akuzat që bën opozita janë tërësisht të pabaza dhe të paqëndrueshme.