Valverde e barazon rekordin e Pep Guardiolas

Ernesto Valverde e ka barazuar rekordin e Pep Guardiolas për ecurinë më të gjatë pa pësuar humbje në krye të Barcelonës...

Ernesto Valverde e ka barazuar rekordin e Pep Guardiolas për ecurinë më të gjatë pa pësuar humbje në krye të Barcelonës, pas fitores 5-0 ndaj Celta Vigos të enjten mbrëma në kuadër të Kupës së Mbretit.

Valverde i ka zhvilluar 28 ndeshje me Barcelonën pa pësuar humbje, duke shënuar 22 fitore dhe barazuar gjashtë herë. Kjo ecuri e barazon ecurinë e dytë më të mirë pa humbje në histori të kësaj skuadre, atë të Pep Guardiolas më 2010-11, 23 fitore dhe pesë barazime.

Megjithatë, i pari është Luis Enrique, i cili në sezonin 2015-16 shënoi 32 fitore dhe barazoi 7 herë në një ecuri prej 39 ndeshjeve pa humbje.

Deri më tani këtë sezon, Valverde nuk ka pësuar humbje në La Liga, kupë apo Ligë të Kampionëve. Humbjet e vetme të tij erdhën në Super Kupën e Spanjës nga Real Madridi, 3-1 në ndeshjen e parë dhe 2-0 në ndeshjen e kthimit.