Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur i habitur me kërkesën e Bashkrimit Evropian që çështja e Trepçës të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Mustafa thotë se në mandatin, kur ishte kryeministër i vendit, kanë përgatititur dhe aprovuar Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. “Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit”.
Mustafa ka kërkuar unitet të skenës politike kosovare që të kundërshtohet dialogimi për çështjet e sovranitetit dhe integritet të shtetit të Kosovës.
“…kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë”, ka shkruar ndër të tjerash ish-kryeministri i vendit.