Sahiti i përgjigjet kreut të Medvegjës: Mos fol në emër të shqiptarëve për shkëmbimin e territoreve

Sahiti i përgjigjet kreut të Medvegjës: Mos fol në emër të shqiptarëve për shkëmbimin e territoreve

Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Medvegjës, Florim Sahiti, ka thënë se shqiptarët e kësaj komune nuk duan të ndërhyjnë në politika shumë të larta, duke iu referuar bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për agjencinë e lajmeve FoNet.

Ai gjithashtu ka thënë se kryetari i kësaj komune, Nebojsha Arsiç nuk është i autorizuar që të flasë në emër të shqiptarëve që jetojnë atje.

‘Ne kemi pasur një referendum në vitin 1992, ku shqiptarët e shpjeguan hapur se ku dëshirojnë të jetojnë”, ka thënë ai.

‘Askush asnjëherë nuk i ka dhënë të drejtë kryetarit Nebojsha Arsiç që të flasë në emër të shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë, apo edhe për dëshirat tona, as ai e as dikush tjetër” ka thënë Sahiti.

 Arsiç ditë më parë kishte deklaruar se shqiptarët nga Medvegja nuk dëshirojnë që t’i bashkohen Kosovës.

Kujtojmë se më 1 dhe 2 mars 1992 ishte mbajtur Referendumi për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të Jugosllavisë me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.