Serbët të cilët jetojnë në veri të Mitrovicës e janë besnikë të pushtetit të Aleksander Vuçiqit, do të protestojnë sot përpara zyrave të EULEX-it në këtë qytet. Një protestë e tillë duket se po organizohet si kundërpërgjigje ndaj protestës kundër Qeverisë dhe pushtetit në Serbi që u mbajt të shtunën e kaluar.
Megjithatë, arsye zyrtare e protestës thuhet të jetë plani i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili po synon të bashkojë të dy pjesët e qytetit, shkruan N1.
Ndërkohë, thirrje për t’iu bashkuar kësaj proteste i është bërë edhe spitalit të Mitrovicës dhe të gjithë qytetarëve serbë.
Kundër protestës anti-Vuçiqit kishte reaguar Marko Gjuriq, i cili protestuesit i ka quajtur si përfitues dhe manipulues.
E kjo deklaratë e Gjuriqit u pa si një kërcënim për organizatorët e protestës. Politikani serb, Marko Jaksic, kishte thënë se nëse do t’u ndodh diçka protestuesve, përgjegjësinë për një gjë të tillë do ta mbante Marko Gjuriqi.
Protestën kundër Vuçiqit e ka dënuar gjithashtu edhe Lista Serbe e cila është dorë e zgjatur e pushtetit të Serbisë në Kosovë.