Draskovic: Serbia është ishull në oqeanin e NATO’s e të BE’së

Draskovic: Serbia është ishull në oqeanin e NATO’s e të BE’së

Lideri i Lëvizjes së ripërtëritjes serbe (SPO) Vuk Draskovic ka deklaruar sot se shumica e njerëzve në Serbi e dinë se të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet e mundshme në Kosovë, në BeH, në Maqedoni e kudoqoftë në Ballkan do t’i zgjidhë NATO.

“Rreziku më i madh i sigurisë për Serbinë sot është injorimi i realitetit gjeopolitik, se Serbia është një ishull në oqeanin NATO e BE dhe se shteti, edhe sikur të ishte në interesin e tij, nuk ka flatra të fluturojë deri në Rusi e t’i bashkohet alencës ruse ushtarake dhe unionit ekonomik”, ka thënë Draskovic për portalin e Novi Pazarit SNews.

Ai ka thënë se konflikti i ngrirë në Kosovë është si “gaca në hi”. “Çdo çast mund të shpërthejë në flakë. Serbia do të gjendej në pozitën në të cilën ka qenë para dy deceniesh, me atë që përmasat e fatkeqësisë tash do të ishin shumë më të mëdha”, ka vlerësuar Draskovic.

I pyetur se a do të ishte mirë për Serbinë po të hynte në NATO, Draskovic ka përkujtuar deklaratën e kryetarit serb Aleksandar Vucic se “Srbia, me hyrjen në aleancën e NATO-s, do t’i zgjidhte të gjitha problemet e saj të sigurisë e të zhvillimit”.

Duke përkujtuar se 80 për qind të qytetarëve të Serbisë janë me vendosmëri kundër anëtarësimit në NATO, ai ka thënë se me respektimin e kësaj, “pushteti respekton vullnetin e shumicës së gabimeve” dhe se populli njuk i di faktet për NATO-n.

“Nuk e di ajo shumicë se të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet e mundshme në Kosovë, në Bosnjë, në Maqedoni e kudoqoftë në Ballkan do t’i zgjidhë NATO. Serbia mund të zgjedhë vetëm njërën prej këtyre të dyjave: të jetë në aleancën e NATO-s, pranë tavolinës, apo të jetë – në menu. Vendimin nuk duhet lënë as padijes, as inatit, as mantras se pushteti duhet të dëgjojë vullnetin e shumicës. Në disa çështje, shumicës së padijshme shteti nuk guxon t’ia bëjë qejfin. Shumica mund të votojë edhe se dy plus dy nuk bëjnë katër”, ka thënë Draskovic.