Sllobodan Petroviq ka numëruar ndalesat që po u bëhen përfaqësuesve liberalë serbë nga BIA serbe, duke futur në listën edhe ndaljen e zëvendësministrit të Ministrisë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Boban Stankoviq.
Kreu i Partisë Liberale, Slobodan Petroviq, në një konferencë për media ka thënë se anëtarët e partisë së tij po keqtrajtohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.
“Ajo çfarë ndodhi mbrëmë në Merdare na detyroi të mbajmë një takim të partisë. SLS-ja po maltretohet nga MUP i Serbisë dhe BIA”, ka thënë Petrvoviq.
Petroviq thotë se po keqpërdoren institucionet serve për qëllime partiake, ndërsa përmend kërcënimet që kanë marrë gjatë zgjedhjeve në Kosovë.
“Fjala është për keqpërdorim të institucioneve serbe për qëllime partiake e politike. Na kujtohen edhe kërcënimet që përjetuam gjatë zgjedhjeve dhe atëkohë disa njerëz që ndodheshin në listët të SLS-së u përjashtuan nga puna”, ka shtuar ai.
Duke thënë se nuk u frikësohen kërcënimeve, Petroviq është shprehur i gatshëm të bisedojë me institucionet serbe, por ka theksuar se serbët në Kosovë nuk janë kriminelë.
“U bëj thirrje BIA-s dhe kryeministres e presidentit të Serbisë që të shpjegojnë të gjithëve edhe neve se përse unë e Stankoviqi u ndalëm në kufi. Është e pamundur që ata të mos e dinë arsyen përse u ndaluam në kufi”, ka thënë Petroviq.
Për ndalesat që po u bëhen liberalëve serbë të Kosovës në kufirin me Serbinë ka reaguar dje edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Këto ndalesa ai i ka quajtur provokime nga Serbia.