Xhiroja e botës me biçikletën e tij është ëndrra e madhe e Jacky Chen, një inxhinieri elektrik nga Tajvani, që prej tre vitesh e gjysmë shëtit globin.
Jacky mbërriti mbrëmjen e Krishtlindjeve në Shqipëri, pasi kishte vizituar më parë Malin e Zi dhe Kroacinë. Atë e takojmë te Parku Rinia, ku kishte kaluar natën në çadër, transmeton A2news. Ai gëzohet kur mëson se ndërtesa pas krahëve të tij merr emrin nga vendlindja e tij.
“Ndoshta jam tajvanezi i parë që bën kamping te “Tajvani”, ndaj është shumë për të qeshur”, shprehet me humor ai.
Fjetja është problemi më i madh për Jacky-n. Ai përdor disa aplikacione për të gjetur vendas që i ofrojnë akomodim në qytetet që viziton, por jo gjithmonë dikush është i gatshëm të hapë derën. Por pavarësisht vështirësive, Jacky gjen forcë te miqtë e tij dhe familja, me të cilën kontakton përmes internetit.
“Shpresoj të mund të frymëzoj të rinjtë që të shtyhen të realizojnë ëndrrat. Unë nuk jam çiklist profesionist, nuk jam atlet, nuk jam i pasur, nuk kam ndonjë familje me emër, por përpiqem që të realizoj ëndrrat e mia. Nëse mund t’ia dal unë, atëherë mendoj se dhe ju mund t’ia dilni”.