Përçarës, tokëndarës e tokëfalës, këto ishin vetëm disa nga cilësimet që tashmë kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, i kishte bërë kohë më parë për Hashim Thaçin, njeriun me të cilin dje ishte ulur në një tavolinë për të diskutuar rreth të ardhmes së dialogut Kosovë - Serbi.
Por cilat kishin qenë raportet Ahmeti - Thaçi deri para këtij takimi:
Me datë 26 shkurt të vitit 2016, Shpend Ahmeti, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, atë botë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte marrë pjesë në protestën ku kundërshtohej zgjedhja e Hashim Thaçit president.
Në këtë protestë Ahmeti kishte thënë se ka dalë për të parandaluar zgjedhjen e Thaçit president. Përveç kësaj ai kishte thënë se Thaçi nuk është një figurë unifikuese por një përçarës.
Por ky nuk është rasti i vetëm kur Shpend Ahmeti ka dalë kundër kreut të shtetit.
Me datë 17 shtator të vitit 2016, e kishte quajtur Thaçin si tokë ndarës dhe tokë falës, pas nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Këto akuza kishin ardhur pas kundërshtimeve që ish-kreu i PDK-së i kishte bërë protestës së studentëve rreth kishës e cila gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
“Hashim Thaçi është relevant para faktorit ndërkombëtar vetëm kur bën koncesione ndaj Serbisë. Ai e din që pa Serbinë, pa pllaka përkujtimore, pa kisha e pa takime me Vucicin mbetet vetëm i akuzuar potencial në Gjykatën Speciale. Si nënshkrues i demarkacionit tokë falës, dhe premtues e nënshkrues i asociacionit tokë ndarës, Thaci krijon tema te tilla si kjo më poshtë ku mund të duket i moderuar dhe relevant në Ballkan. Për këtë arsye këshilltaret e tij shkruajnë artikuj kundër Rames dhe takimeve me Vucicin sepse frigohet që dikush ja zene vendin tek koncesionet. Kosova do të mbetet edhe pas Thacit edhe pas gjithë neve. Nuk duhet lejuar që ky njeri dhe egzistenca e tij të na le pasoja për shtetin tonë” (sic.), kishte shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook atë kohë.
Në një intervistë për emisionin “Diplomaticus’ të News 24, me 17 mars të vitit 2016, Shpend Ahmeti kishte thënë se Hashim Thaçi është një person përçarës, dhe kishte treguar se si e kishin dërguar në Gjykatë Kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së Hashim Thaçit si president.
“Sa më shpejt që ta kuptojmë se duhet të shkojmë në zgjedhje aq më mirë do të ishte. Situata është aq keq sa që besoj se palët, nëse flas si Vetëvendosje, nuk do të ulemi në tavoline me atë palë. Nëse flas objektivisht është e vështirë që të dy palët do të ulen në tavolinë. Nëse ia shton kësaj mënyrën e zgjedhjes së presidentit, Hashim Thaçi i cili padyshim që ka fuqi politike në subjektin e vet si parti demokratike të Kosovës, por është person përçarës. Presidenti i vendit duhet të jetë një person unifikues, që simbolizon unitetin e kombit, Ne tashmë e kemi çuar në gjykatën kushtetuese çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në aspektin e legjitimitetit ne do ta kundërshtojmë gjithmonë zgjedhjen e tij. E di se zoti Thaçi vazhdimisht thotë se nuk jam me PDK, do të jem person i unitetit. Nuk mund ta fshish një histori gjashtë, dhjete apo 15 vjeçare dhe të thuash unë kam qenë ky deri më sot, nesër jam unifikues” kishte deklaruar Shpend Ahmeti në televizionin “News 24”.
E me datë 16 gusht të vitit 2018, në një intervistë për gazetën ‘Zëri’, Shpend Ahmeti, kishte thënë se Hashm Thaçi nuk është i autorizuar për të drejtuar fazën finale të dialogut me Serbinë.
Si kryetar i PSD-së, kishte treguar që partia e tij madje kishte kërkuar ndërprerjen e pushimeve të deputetëve vetëm për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë.
Një përplasje Thaçi-Ahmeti kishte ndodhur edhe në shkurt të vitit 2018, pas disa deklaratave që kreu i shtetit i kishte bërë në emisionin ‘Zona B’, prej nga ku kishte kritikuar qeverisjen e Prishtinës.
“Të jeni të bindur se më i rrezikshëm se muri, është ajri në Prishtinë. Ndërkohë që Tirana po zhvillohet, Prishtina po bën regres”, kishte potencuar presidenti Thaçi.
E për këtë deklaratë të Thaçit kishte reaguar i pari i Prishtinës.
“Për Hashim Thaçin problem më i madh është qeverisja në Prishtinë, se sa situata në veri dhe Beogradi. Në çdo pyetje për veriun e përmend Prishtinën”, kishte shkruar Shpend Ahmeti në profilin e tij në Facebook.
Por siç duket gjithë këto deklarime, nuk e kanë penguar kreun e PSD-së që të dalë përballë e të ulet në një tavolinë me presidentin Hashim Thaçi.