Pas taksës 100 për qind, Kosova gjen alternativë për importin e mallrave

Pas taksës 100 për qind, Kosova gjen alternativë për importin e mallrave

Pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet serbe dhe ato boshnjake, Kosovës i duhen tregje të tjera për të siguruar importin e produkteve të cilat nuk i prodhon.

Kjo sigurisht që ka shkaktuar problem për kompanitë importuese kosovare, ngase çmimet e produkteve në vende të tjera mund të jenë më të larta dhe transportimi i tyre mund të shkaktojë probleme, shkruan lajmi.net

Në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin i cili ka shpjeguar si po shkon importi i produkteve dhe ku është koncentruar kryesisht.

Ai ka thënë se është e vështirë të konstatohet shumë shpejt, por varet nga produktet të cilat importohen.

“Për shembull, për hekur kemi rritje të importit nga Shqipëria, produkt që është importuar shumë nga Bosnja”, është shprehur Rukiqi për lajmi.net

“Gruri është një produkt tjetër që realisht pritet import nga Hungaria, por edhe Kroacia. Mistri gjithashtu mund të jetë nga vendet e rajonit”, vazhdoi Rukiqi.

Ndërsa për produktet që nuk janë lëndë e parë, Rukiqi tha se ka zëvendësime të tjera, që mund të jetë edhe Maqedonia. Sipas tij, gjithçka varet nga produktet, tani nuk ka ndonjë adresë siç ka qenë ai 400 milionëshi i drejtpërdrejtë nga Serbia, por tani importi është i shpërndarë në tregje të ndryshme.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se një pjesë e produkteve të lëndës së parë janë produkte të lidhura edhe me çmimet që i dikton Berza.

“Një pjesë e produkteve të lëndës së parë janë produkte që janë të lidhura edhe me çmimin në Berzë. Dhe normalisht që nuk diktohen shumë nga çmimi në një vend të caktuar sepse diktohen nga Berza”, tha Rukiqi

Ai tha se janë kryesisht kostot e transportit ku kompanitë bëjnë kalkulimet e veta në këtë pikë.

Ndërsa në anën tjetër Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka realizuar një studim hulumtues në periudhën 21 nëntor- 5 dhjetor 2018 lidhur me ndikimin e taksës 100% të vënë nga Kosova për produktet serbe dhe ndikimin e saj në ekonominë e Serbisë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se mbështesin taksën 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke qenë të bindur se kjo do të ndikon pozitivisht në ekonominë dhe prodhimin vendor.

Sipas tyre, humbjet e eksportit të Serbisë gjatë kësaj periudhe janë 21,750,000,00, ndërsa Kosova ka 24 milionë euro mallra të paguara të cilat nuk mund të tërhiqen. Mbi 8200 punëtorë rrezikohen të shkojnë në pushim pa pagesë se të mbesin pa punë në Serbi.

Sigurisht, për kompanitë kosovare që kanë importuar produkte nga Serbia është bërë më e vështirë selektimi i tregjeve me çmime të përshtatshme prej nga realisht do të mund të furnizoheshin me mallra.