VESELI: Kosova dhe Shqipëria në BE si dy vende te pavarura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i bashkon asgjë

Këto komente Veseli i bëri pas një takimi që kishte me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Veseli ka thënë se, në Bashkimin Evropian të dy vendet do të jenë si dy shtete të pavarura.

“Ne po punojmë fuqishëm në intensifikimin e raporteve tona integruese mes dy vendeve tona. Jemi krenar me përparimet që jemi duke arritur, do të qëndrojmë sa më pranë njëra-tjetrës si shtete të pavarura në qëllimin përbashkët për BE", tha Veseli.

Ndërkaq Ruçi tha se me Veselin janë dakorduar që kjo vizitë, por edhe të tjerat të kornizojnë problemet e shqiptarëve të Shqipërisë dhe atryre të Kosovës. ”Në Tiranë kur vjen puna për Kosovën, jemi të një qëndrimi”, tha Ruçi, duke shtuar se janë shpresëplotë që zgjedhjet e raundit të dytë në Kosovë të shkojnë mirë dhe që në Kosovë të funksionojë demokracia. Ruçi po ashtu foli edhe për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

”Ne inkurajojmë përpjekjet që bëhen sa i përket demarkacionit, i inkurajojmë ata që të shohin përtej interesave partiake”, tha Ruçi. Ai më tutje shtoi se se do të jenë në komunikim që vizitat e tilla të zgjedhin hallet ndërmjet dy vendeve.

Në takimin Veseli dhe Ruçi u dakorduan që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të krijojnë një komitet i cili ka për qëllim zgjidhjen e problemeve legjislative, duke përfshirë çështjet e studentëve të të dyja vendeve, lejes së qëndrimit dhe regjimit doganor.