Nga 400 euro për varrimin e mbetjeve mortore të familjarëve të zhdukur

Nga 400 euro për varrimin e mbetjeve mortore të familjarëve të zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, nën udhëheqjen e Kryesuesit të Komisionit, Prenk Gjetaj, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku ka miratuar ‘Procedurat dhe kriteret për përkrahje të familjeve të personave të zhdukur në organizimin e ceremonisë së rivarrimit të mbetjeve mortore të personit të zhdukur, të identifikuar’, njofton kumtesa,

Qeveria e Kosovës ka përcaktuar shumën financiare prej 400.00 (katërqind) euro për përkrahje të familjeve të personave të zhdukur me rastin e organizimit të rivarrimit të mbetjeve mortore të identifikuara të familjarëve të tyre të zhdukur.

Procedurat dhe kriteret janë aprovuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me plotësimet e propozuara gjatë mbledhjes nga anëtarët Komisionit, Naim Uka, përfaqësues i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Komision dhe Minire Begaj, përfaqësuese e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komision, si dhe anëtaret tjerë të pranishëm në mbledhje.

Kryesuesi i Komisionit, Prenk Gjetaj, theksoi rëndësinë e miratimit të këtyre procedurave dhe kritereve, si një mundësi për përkrahje të familjeve të personave të zhdukur.