Ministri i Tregtisë i Serbisë Rasim Ljajiç njoftoi marrje masash kundër Kosovës duke filluar nga dita e premte, pasi kjo e fundit tha se nuk do të anulonte një vendim për të imponuar një tarifë shtesë për miellin e importuar nga Serbia.
“Ne do t’i forcojmë këto masa në varësi të zhvillimit të situatë,” tha Ljajiç për agjencinë e lajmeve BETA pa e specifikuar se cilat do të jenë kundërmasat.
Ai pohoi se Serbia do të mbështesë detyrimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore.
Serbia i ka dërguar gjithashtu një letër Komisionit Europian për t’iu ankuar për problemin, por Ljajiç tha se besonte se kundërmasat do të ishin më efikase.
Ky vendim pasoi një deklaratë nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Bajram Hasani, i cili tha se Kosova nuk do ta revokojë vendimin e saj të datës 23 tetor për t’ia rritur miellit serb taksën me 0,04 cent për kilogram.
Vendimi erdhi pasi shoqata e mullixhinjve të Kosovës akuzoi prodhuesit serbë që po e mbysin industrinë vendase duke ulur çmimet – duke shitur miell me çmime më të ulëta sesa kostoja e prodhimit.
Ministria e Tregtisë tha se kjo politikë kërcënonte vetë industrinë e miellit të Kosovës dhe se taksa shtesë do të vazhdonte të mbetej pavarësisht “kërcënimeve nga Serbia””. Ministri Hasani theksoi gjithashtu mundësinë që Kosova të tërhiqej nga marrëveshja e CEFTA.
Ljajiç, i cili thotë se rreth 50 kompani serbe eksportojnë 2,000-3,000 ton miell në Kosovë në muaj, mohon që Serbia të ketë përdorur çmime të ulëta.
“Ne do t’i dërgojmë mullixhinjve të Kosovës dokumentet për çmimet e grurit dhe miellit nga janari deri në tetor të këtij viti, që do të tregojnë pamundësinë e pasjes së ndonjë uljeje çmimi,” tha Ljajiç.
Ai shtoi se nëse do të nevojiteshin masa kundër uljes së çmimeve, ato do të duhet të merreshin kundër prodhuesve specifikë që shkelën rregullat, jo kundër të gjithë industrisë.