Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ka marrë pjesë në sesionit të 64-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ai theksoi se Maqedonia prej shpalljes së pavarësisë ka qenë e orientuar kah familja evropiane.
“Ne mësojmë dhe i pranojmë parimet dhe standardet e demokracisë parlamentare, respektimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut, sundimin e të drejtës dhe shtetit juridik. Përmbushja e këtyre kushteve, do të kontribuojë që qytetarët tanë të ndjehen të barabartë dhe njëlloj të vlefshëm për shoqërinë dhe ndaj kësaj do të përgjigjen me besim në institucionet shtetërore dhe besnikëri ndaj vendit. Me sigurinë juridike, në pako shkon edhe siguria ekonomike, respektivisht vendi bëhet atraktiv edhe për investuesit e huaj për të cilët anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është provë e mjaftueshme se investimet e tyre janë të sigurta, ndërsa përfitimi kuptohet se është edhe për ekonominë vendore e cila bëhet më e fuqishme, hapen vende të reja të punës dhe natyrisht zvogëlohet papunësia në vend, si konsekuencë, të rinjtë tanë janë të animuar që arsimimin e vet plotësues, rritjen dhe zhvillimin e vet profesional dhe ardhmërinë e familjes së vet ta planifikojnë këtu, në shtëpi, në vendin e vet. Dhe më e rëndësishmja, siguria e jetës, e pronës, pacenueshmëria dhe integriteti i kufijve janë esenciale. Pikërisht për këto arsye, sipas hulumtimeve të opinionit publik, në Republikën e Maqedonisë, mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në integrimet euroatlantike është konstant mbi 75 për qind”.
Ndër të tjera ai shtoi se Maqedonia është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të jetë sa më shpejtë anëtare me drejta të plota e Organizatës Veri-Atlantike
I pari i Kuvendit foli edhe për proceset politike në Maqedoni me theks të veçantë ndryshimet kushtetuese.
“Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë tani më është filluar procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe për momentin Komisioni Kushtetues e ka përfunduar debatin për amendamentet e dërguara nga Qeveria dhe të njëjtat janë përcjellë në procedurë të mëtejshme të përcaktuar me Rregulloren për punë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Faza e ardhshme është debati i gjerë publik për propozim amendamentet, në të cilin debat do të marrin pjesë subjektet më të ndryshme shoqërore të opinionit akademik dhe ekspert, sektori joqeveritar, bashkësia e biznesit dhe të tjera. Në këtë mënyrë, dëshirojmë që këto ndryshime të rëndësishme të kuptohen dhe të mbështeten para së gjithash prej një rrethi të gjerë të qytetarëve si edhe prej subjekteve më të ndryshme shoqërore dhe politike”, përfundoi Xhaferi.