Pas takimit me Thaçin, Putin konfirmon gatishmërinë për mbështetjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Presidenti rus, Vladimir Putin konfirmoi gatishmërinë e Moskës për të mbështetur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë...

“Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi gatishmërinë e Moskës për të mbështetur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në rast të arritjes së një marrëveshjeje të tillë”, u tha gazetarëve zëdhënësi, Dmitri Peskov duke komentuar deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në Paris, takova Presidentin Putin, duke u fokusuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Presidenti Putin ishte i qartë:” Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë,” kishte shkruar Thaçi në Twitter.

Po ashtu zëdhënësi presidencial rus tha se Putin theksoi nevojën që Kosova të arrijë një konsensus me Serbinë.

“Ne ishim të gatshëm të mbështesim një marrëveshje që palët do të garantojnë”, citohet të ketë thënë Putin.

Peskov gjithashtu tha se Putin dhe Thaçi kishin pasur një takim të shkurtër në shënimin e  përfundimit të 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, që u mbajt në kryeqytetin francez, në Paris më 11 nëntor.

Sipas Peskov, presidenti rus gjithashtu u takua me liderë të tjerë.