Izraeli ka deklaruar se aeroplanët luftarakë të ushtrisë së tyre i kanë sulmuar disa baza të militantëve palestinezë në Gaza, pasi militantët i kishin shkrepur 370 raketa drejt Izraelit. Të paktën tre palestinezë vdiqën në Gaza, ndërsa një civil u vra nga sulmi me raketë në qytetin izraelit të Ashkelonit.
Izraeli dhe Hamasi, të cilët e kontrollojnë Rripin e Gazas, kanë kërcënuar se do t’i shpeshtojnë sulmet e tyre. Dhuna shpërtheu kur një mision i fshehtë izrealit u zbulua të dielën në Gaza. Në këtë incident vdiqën shtatë militantë palestinezë, përfshirë edhe një komandant ushtarak të Hamasit, si dhe një anëtar të njësisë sekrete të Izraelit.
Sulmi me raketa drejt Izraelit filloi të hënën në mbrëmje. Raportohet se një autobus që po bartte ushtarë u godit nga një rakentë anti-tank, me ç’rast u plagos rëndë një ushtar. Gjatë natës, raketat e goditën brezin kufitar, me ç’rast një ndërtesë u shkatërrua, një civil u vra dhe një tjetër u plagos rëndë.
Si kundërpërgjigje, Izraeli ndërmori sulme ajrore kundër Hamasit dhe grupeve tjera më të vogla palestineze në Rripin e Gazas. Ushtria izraelite deklaroi se janë goditur më tepër se 100 pika të militantëve. Si pasojë e këtyre sulmeve, autoritetet palestineze thanë se tre persona u vranë, dy prej të cilëve ishin militantë. Nga sulmet me raketa e pësoi edhe ndërtesa e televizionit “Al-Aqsa”, e cila u shkatërrua tërësisht.
Këto ishin ndër sulmet më të ashpra që nga lufta e vitit 2014. Izraeli ka paralajmëruar se do ta shpeshtojë sulmin kundër Hamasit, por të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe Hamasi. Incidenti i mbrëmshëm vjen pas një përmirësimi të dukshëm të gjendjes gjatë muajve të fundit, të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Kombet e Bashkuara, shkruan BBC.