Dy shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Florida dhe Georgia, po përgatiten për rinumërim për shkak të rezultateve të ngushta në garën për Senat si dhe për shkak të akuzave mes republikanëve dhe demokratëve për prishje të qëllimshme të fletëvotimeve dhe paqartësi në përbërjen e tyre.
Kandidatët për Senat nga Florida, republikani Rick Scott dhe demokrati Bill Nelson, kishin vetëm 15 mijë vota dallim në garën mes vete dhe kjo mund ta sjellë rinumërimin. Edhe rezultatet për guvernatorë në këto dy shtete ishin pothuajse kaq të ngushta, duke e lënë të hapur mundësinë e rinumërimit. Gara për Senat u tensionua kur republikani Scott e akuzoi palën tjetër për vjedhje të votave, ndonëse nuk kishte dëshmi për një akuzë të tillë.
Përveç ketyre akuzave, dyshime janë ngritur edhe për shkak të dizajnit të ndryshëm të fletëvotimeve në rajone të ndryshme. Në disa fotografi të shpërndara të Twitter shihet se në rajonin e Browardit, emrat e kandidatëve ishin të vendosur në pjesën e poshtme të fletëvotimit, ndërsa në disa rajone tjera emrat e kandidatëve ishin të vendosur në pjesën e sipërme të fletëvotimit. Kjo ka ngjallur reagime, duke pretenduar se fletëvotimet me dizajne të ndryshme kanë mundur të shkaktojnë huti te votuesit dhe rrjedhimisht ta favorizojnë një kandidat më shumë se tjetrin.
Rezultate të ngushta u shënuan edhe në garën për Senat në shtetin e Arizonës, ku kandidatja demokrate, Kyrsten Sinema, ishte në epërsi me vetëm 9 mijë vota në një vend ku u numëruan 1.9 milionë vota. Pritet që së shpejti të merret një vendim i cili do t’i qartësojë hapat e ardhshëm për garat e ngushta mes kandidatëve, shkruan “The Guardian”,