Thaçi kujdeset për disponimin e “dreqit” të tij Vuçiqit, nuk e mbështet taksën ndaj Serbisë

Presidenti Thaçi, që merr kompetenca të përfshihet në secilën çështje brenda kufijve akoma të palëkundur të Kosovës, ka vendosur që të heshtë për taks

Presidenti Thaçi, që merr kompetenca të përfshihet në secilën çështje brenda kufijve akoma të palëkundur të Kosovës, ka vendosur që të heshtë për taksën prej 10 për qind që Qeveria ia ka vënë produkteve që hyjnë nga Serbia. Analisti Astrit Gashi thotë se Thaçi po arrin suksesshëm të mos e prishë agjendën e përbashkët me Vuciqin për shkak të një vendimi të Qeverisë, duke heshtur e injoruar krejtësisht sanksionin

Për herë të parë që nga marrja e mandatit të Presidentit në shkurt të viti 2016, Hashim Thaçi diti të thotë se në Kosovë pushtetet janë të ndara dhe se ka punë në shtet që s’hyjnë në kompetencat e tij.

Thaçi nuk dha asnjë koment për vendimin e Qeverisë së Kosovës që produkteve serbe t’i vihet taksë prej 10 për qind. Kur u pyet për këtë çështje, presidenti tregoi se si nuk përfshihet në vendime që dalin nga institucionet e tjera, në këtë rast Qeveria. Për kabinetin qeveritar, ka pasur raste kur Presidenti Thaçi ka deklaruar se 90 për qind të tij e ka pas vetes.

“Secili institucion merr vendime dhe merr edhe përgjegjësitë që dalin prej atyre vendimeve”, ishte komenti i vetëm i Presidentit Thaçi për vendimin e qeverisë që të sanksionohen produktet e Serbisë.

Presidenti Thaçi ka kryqëzuar shumë herë rrugët me Qeverinë dhe vetë kryeministrin Ramush Haradinajn, kur ky i fundit ka ndërmarrë veprime.

I pari i vendit ishte kritik ndaj vendimit të Haradinajt për faljen e borxhit të ujit për biznësët.

Ai ka folur disa herë edhe për listat me veteranë të rrejshëm. I është kundërpërgjigjur kryeministrit duke thënë se nuk kanë qenë më shumë se 15 mijë pjesëtarë të UÇK’së.

Disa herë në adresë të shefit të Qeverisë ka pasur kritika për raportet e tij me nënkryetarin e Listës Srpska, Milan Radojciq.

Analisti Astrit Gashi thotë se  Thaçi ka vendosur ose ta pranojë në heshtje ose ta injorojë - pa u përplasur me Haradinajn, sikur bënte sa herë që prekëshin raportet e tij me Vuciqin e Serbinë.

Gashi thotë për Gazetën Express se e çudit heshtja e Presidentit, duke e ditur se Thaçi komenton gjithçka.

Mirëpo, sipas analistit, Presidenti ka qenë i informuar dhe është pajtuar me vendimin, duke parë entuziazmin me të cilën po e përcjell këtë teme zv.kryeministri nga radhët e PDK’së, Enver Hoxhaj.

“Duke e parë edhe sa zor i ka dhënë kësaj teme zv.Kryeministri i tij Enver Hoxhaj, kam një përshtypje që ai jo vetem se ka qenë i njoftuar por edhe i pajtuar me këtë veprim. Gjithashtu duke e parë se kjo temë nuk siguroi nje vendim bojkotues te takimit në Bruksel nga Vucici, më shtohet përshtypja se këtë gjë ai e ka kordinuar edhe me Presidentin serb”, shprehet analisti Gashi.

Sipas Gashit, edhe nëse Thaçi nuk ka qenë i njoftuar me vendimin e kryeministrit Haradinaj për t’i taksuar produktet serbe, Presidenti i vendi ka arritur ta mbajë në ekuilibër agjendën e tij me Vuciqin.

“Nese ky veprim është marrë kokë ne vete dhe pa pajtimin e Thaçit, ai ka arritur ta menaxhojë atë pa i prishur punë agjendës së përbashkët me Vucicin”.

“Dihet boterisht se nuk eshte ne interes se agjendes se tyre te perbashket, te kete ballafaqime serioze mes Serbise dhe Kosoves, por vetem shtyerje te vogla berrylash per te forcuar pozicionet e anasjellta te dy liderëve”, shton më tej Gashi.

Qeveria Haradinaj mori vendim që të sanksionohen të gjithë produktet me orgjininë serbe dhe boshnjake që hyjnë në Kosovë, me taksë shtesë prej 10 për qind.

Pasi u mor vendimi, kryeministri Haradinaj u deklarua se është i vetëdijshëm që do të vinë procese dramatike më tutje. Vendimi i tij pasoi me reagime nga Bashkimi Evropian.

Zyra e përfaqësueses së Lartë të BE’së, Federcia Mogherini, kërkoi sqarime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për këtë vendim të papritur.

Ndërsa, Presidenti Thaçi ka udhëtuar për në Bruksel ku sot në orët e mbrëmjes pritet të takohet me Aleksander Vuciqin. Ky i fundit ka reaguar të martën kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj produkteve serbe.