Pas takimit, në një konferencë për media, Thaçi tha se me Kurz patën rastin që të diskutojnë për zhvillimet në Kosovë mirëpo edhe për përspektivën e rajonit, raporton lajmi.net.
Thaçi tha se Austria si kryesuese e BE-së, ka qenë gjithmonë promovuese e të drejtës së Ballkanit për anëtarësim në BE, mirëpo sipas tij kusht për këto anëtarësime janë marrëdhëniet fqinjësore.
“Patëm rast të diskutojmë për zhvillimet në Kosovë por edhe për përspektivën e rajonit. Austria është duke vazhduar që të kryesojë me BE-në dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka promovuar anëtarësimin e Ballkanit në BE. Prandaj, puna dhe angazhimi ynë për arritjen e këtyre qëllimeve është e vendosur. Në kontekst të këtyre integrimeve euroatlantike, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kusht parësor”, tha Thaçi.
Thaçi tutje tha se Kosova është duke u munduar maksimalisht që të ndërtojë raporte korrekte me Serbinë, si dhe një marrëveshje e cila siguron paqe.
“Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Kosova mbetet thellësisht e angazhuar për dialogun me Serbinë, e cila siguron paqe të qëndrueshme, njohje reciproke si dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ai.
Kurz gjatë ditës së djeshme qëndroi në Beograd.