Bartësi i listës zgjedhore të Partisë Demokratike Shqiptare z. Enver Mehmeti takim zyrtar në R.e Kosovës

Në kuadër të angazhimeve dhe përgatitjeve për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, bartësi i listës zgjedhore të Partisë Demokratike Shqiptare...

Në kuadër të angazhimeve dhe përgatitjeve për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, bartësi i listës zgjedhore të Partisë Demokratike Shqiptare z. Enver Mehmeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ilir Sadriu, zhvilluan takime të karakterit njoftues dhe konsultativ me bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësues të subjekteve politike në Kosovë, të cilët u njoftuan me gjendjen aktuale në Luginë të Preshevës.

Fillimisht takimi u zhvillua me ministrin e drejtësisë së Republikës së Kosovës z. Abelard Tahiri, i cili u njoftua për gjendjen më të re dhe aktuale në Luginë të Preshevës, ku bartësi i listës për zgjedhjet e KKSH, falenderoi ministrin Tahiri për interesimin e tij të vazhdueshëm për Luginën e Preshevës, veçanërisht për kontributin e dhënë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore të shkollës fillore në f. Somolicë.

Në kuadër të kësaj vizite, pati takime me nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Uran Ismaili, shefin e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Abdullah Hoti, deputetën Vjosa Osmani-Sadriu e cila njëherit është kryetare e komisionit për politikë të jashtme, deputetën Lirije Kajtazi si dhe takim me deputetë të grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje Ismail Kurteshi, Shemsi Syla dhe Sali Zyba.

Në të gjitha këto takime, përfaqësuesve te institucioneve dhe subjekte politike në Republiken e Kosovës iu paraqit gjendja e mjerueshme që po mbizotëron në Luginë të Preshevës si rezultat i vazhdimit të politikave destruktive të Serbisë, e që mjerisht kjo gjendje po rëndohet tani edhe përmes vasaleve të saj në Luginë, të cilët po kontaminojnë dhe fragmentojnë kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke amnistuar Beogradin zyrtar si përgjegjësin kryesor të të gjitha të bëmave kundrejt shqiptarëve.

Poashtu të gjithë përfaqësuesve gjatë këtyre takimeve i’u bë i qartë qëndrimi i Partisë Demokratike Shqiptare i cili njëherit është vullnet i popullit shqiptar të Luginës së Preshevë i shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, që Presheva,Bujanoci dhe Mevdegja të jenë pjesë integrale e Republikës së Kosovës, në kuadër të marrëveshjes për normalizim të marëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit.