Haliti: Të metat dhe gabimet janë tonat, jo veç të qeverisë dhe presidentit

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se askush nuk është duke dëmtuar më shumë vendin sesa që është duke u dëmtuar përbrenda.

Haliti duke folur në seancën e sotme ku po diskutohet për dialogun me Serbinë, ka përmendur edhe çështjen e korrigjimit të kufirit shtetëror dhe se nëse presidenti Hashim Thaçi është duke bërë tradhti.

“Kushtetua dhe legjislacioni parasheh rregulla që parlamenti dhe gjykata mund ta thërrasë në përgjegjësi se ku e ka shkelur Kushtetutën, presidenti Thaçi. Nëse dikush ka argumente, edhe unë mund ta qes firmën për ta shqyrtuar tradhtinë e Thaçit në Gjykatën Kushtetuese edhe në Kuvend. Sa i përket Thaçit kam kaq”, është shprehur Haliti, njofton Klan Kosova.

“Nuk jemi aq të fortë sa po e prezantojmë veten dhe se mund të vendosim për çështjen e të ardhmes së Kosovës qysh ne dëshirojmë dhe si po diskutojmë. Këtë e dini edhe ju dhe Presidenti edhe Qeveria për situatën në të cilën jemi, mundësitë tona dhe fuqinë tonë”.

“Të metat janë tonat, gabimet janë tonat, jo veç të Qeverisë dhe Presidentit – presidentëve por që të gjithë neve që s’kemi ditë të ulemi dhe të bëjmë politika shtetërore. Zotimi ynë ka qenë që komuniteti serb në Kosovë do të trajtohet më mirë se që mund të trajtohen serbët në Serbi dhe kjo ka qenë politikë e domosdoshme dhe nuk e kemi bërë. U kemi dhënë mundësi që të ankohen dhe ju kemi dhënë hapësirë dhe mundësi që të na përçajnë dhe mos të jemi të aftë të mendojmë se cila është lufta speciale kundër Kosovës në Kosovë. Kosovën po e dëmtojmë ne sepse Serbia s’ka shans ta dëmtojë. Nuk ka çka na bën Serbia. Duhet të gjendet rrugë, presidenti të ulet me partitë politike dhe të sqarohen me njëri-tjetrin”.

“Lus Presidentin, shefat e grupeve parlamentare dhe këdo që mund të japë kontribut të ulet t’i hapin  kartat, por mos i nxirrni ato për media. Askush s’po punon më shumë kundër nesh sesa ne kundër vetvetes”.