Trump viziton sinagogën, pritet me protesta

Vizita kontroverse e tij vjen pasi vajtuesit u mblodhën në sinagogat aty pranë dhe iu bashkuan procesioneve në rrugë.

Duke mbajtur slogane që lexonin “Presidenti urren, larg shtetit tonë!” dhe “Trump, hiq dorë nga nacionalizmi i bardhë tani”, protestuesit ishin mbledhur pranë sinagogës “Pema e jetës”, ku ndodhi masakra e së shtunës.

Trump, i shoqëruar nga bashkëshortja Melania, sikurse edhe nga e bija Ivanka dhe bashkëshorti i kësaj të fundit, Jared Kushner, me këtë të fundit që është hebre, ishte aty për të ndezur nga një qiri për secilën prej 11 viktimave, të vrarë gjatë shërbesës së quajtur “Shabbat”.

Vizita kontroverse e tij vjen pasi vajtuesit u mblodhën në sinagogat aty pranë dhe iu bashkuan procesioneve në rrugë, në funeralet e parë për disa prej viktimave të sulmit më vdekjeprurës antisemitik në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, shkruan Top Channel.

Shërbesa për vëllezërit Cecil dhe David Rosenthal, që të dy rreth të 50-ave, ishte e para në nder të atyre që u vranë, në atë që ishte një krim nga urrejtja. Shërbesat për doktorin 66-vjeçar, Jerry Rabinowitz, dhe 71-vjeçarin Daniel Stein vijuan më tej në Pittsburg, ku dhjetëra banorë protestuan kundër vizitës së Trumpit.

I dyshuari Robert Bowers përballet me mbi 20 akuza të lidhura me gjakderdhjen te “Pema e jetës”. 46-vjeçari raportohet t’u ketë thënë policëve, pasi u kap, se “thjesht donte të vriste hebrenjtë”, teksa pretendonte përmes medieve sociale se hebrenjtë po ndihmonin të lëviznin karvanet me refugjatë nga Amerika Qendrore drejt Shteteve të Bashkuara, e duke i quajtur emigrantët “pushtues”.