Kukan: BE ende se ka definuar pozicionin për marrëveshjen Kosovë -Serbi

Deputeti i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, ka thënë se qëndrimi i Gjermanisë për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Deputeti i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, ka thënë se qëndrimi i Gjermanisë për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vetëm qëndrim i Gjermanisë, duke thënë se për këtë çështje Bashkimi Evropian ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Këto deklarata Kukan i ka bërë në një intervistë për agjencinë e lajmeve ‘tanjug’.

‘Tani për tani BE-ja nuk ka një qëndrim final sa i përket zgjidhjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Kukan ka folur edhe për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, të cilit thotë se ia ka përsëritur qëndrimin e Parlamentit Evropian, se zgjidhja përfundimtare ndërmjet dy shteteve duhet të vijë vetëm nëpërmjet dialogut dhe në asnjë mënyrë tjetër.

I pyetur nëse ideja për korrigjim të kufijve është ende në tavolinë, Kukan ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër gjithë procesin, megjithatë nuk ka pranuar se ende nuk ka detaje specifike sa i përket kësaj ideje.

Kukan ka thënë se do të ishte i lumtur nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet dy shteteve. Një marrëveshje që sipas tij në asnjë mënyrë nuk do të sillte destablizim në rajon.

Ai ka folur edhe për takimin e Parisit ku do të marrin pjesë SHBA-ja, Rusia, Gjermania dhe Franca, e ku pritet që të diskutohet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të isha i lumtur nëse do të ndodhte një gjë e tillë. Por duhet të presim. Jam pak skeptik”, ka thënë ndër të tjera anëtari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan