FMN kritikon Qeverinë për veteranët, kërkon rishikimin e Projektligjit për Pagat

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me skemat e pensioneve,

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me skemat e pensioneve, veçanërisht vazhdimin e procesit të riklasifikimit të veteranëve, gjithashtu ka kërkuar rishikimin e Projektligjit për Paga, me arsyetimin se përmes këtij ligji nuk parashihet pagë e barabartë për punën e njëjtë.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e këtij misioni në Kosovë, Stephanie Eble, me rastin e përfundimit të vizitës së misionit, në një konferencë për media të mbajtur së bashku me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Ministri Hamza ka thënë se me FMN kanë qenë tema të diskutimit, Projektbuxheti për vitin 2019, si dhe për ecuritë e buxhetit të vitit 2018.

“Sa i përket buxhetit për vitin 2019 e kemi diskutuar në detaje, për pagat deri te bilanci bankar. Situata aktuale makrofiskale na bënë mjaft të kujdesshëm. Kosova ka stabilitet makrofsikal dhe është në pozitë të mirë fiskale”, tha Hamza.

Sipas tij, Projektbuxheti për vitin 2019 është bazuar në rritjen ekonomike, përderisa tutje ka paralajmëruar rritje të pensioneve, ndërsa për Projektbuxhetin FMN ka pasur disa shqetësime.

Udhëheqësja e Misionit të FMN-së, Eble ka thënë se presin rritje ekonomike në 4 për qind, që sipas saj është rritja më e lartë në rajon.

Mirëpo, tha se përsëri mbetet një rritje e cila nuk e zë hapin e zhvillimit të vendeve në rajon.

“I kemi disa shqetësime për projketbuxhetin për vitin 2019, për të hyrat dhe fondin për veteranët. Nga ana e shpenzimeve për kategoritë sociale duhet të vazhdojë reforma”, theksoi Eble duke shtuar se Projektligji për Pagat duhet të rishqyrtohet ngase nuk trajton punë të barabartë për pagë të barabartë.

Ajo ka thënë se sektori bankar duhet të përmirësohet edhe më tej për kredidhënie.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me këtë rast ka thënë se sektori financiar vazhdon të ketë rritje.