Mustafa: Do të kërkojmë nga Brukseli që Kosova e Serbia të trajtohen si shtete sovrane në dialog

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur pas mbledhjes së kryesisë së këtij subjekti politik.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë së subjektit që ai udhëheq, ka thënë se do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian, që në bisedimet që po mbahen në Bruksel, të mos i referohet si dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu i deritanishëm i cili është definuar si ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kërkojmë nga Brukseli që të cilësohet si dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra të trajtohet në cilësinë e dialogut të dy shteteve të pavarura dhe sovrane”, deklaroi Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se, LDK-ja nuk do të lejojë që në këtë dialog të diskutohet me Serbinë për çështjet që e vënë në pikëpyetje funksionalitetin e Kosovës dhe se ndryshimi i kufijve në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që të diskutohet si zgjidhje përfundimtare me Serbinë.