Reagon Rusia: Ushtria e Kosovës do ta djegë gjithë Ballkanin

Presidenti rus, Vladimir Putin ka lëshuar një paralajmërim të ‘ashpër’ ndaj përpjekjes së Kosovës që të krijojë ushtrinë...

Presidenti rus, Vladimir Putin ka lëshuar një paralajmërim të ‘ashpër’ ndaj përpjekjes së Kosovës që të krijojë ushtrinë. Sipas Moskës zyrtare, Ushtria e Kosovës mund të djegë gjithë Ballkanin.

Ministria e Jashtme ruse ka shprehur shqetësim për vendimin e parlamentit të Kosovës për t’i rikthyer Forcat e Sigurisë së Kosovës në ushtri të plotë.

Kjo ministri ka theksuar se një vendim i tillë minon stabilitetin e Ballkanit, transmeton lajmi.net.

“Rusia i ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen komunitetin ndërkombëtar se tendencat e tilla nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244, e cila thotë se Kosova duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Askush nuk mund të jap garanci se të ashtuquajturat forca të armatosura të cilët përbëhen nga terroristë të UÇK-së nuk do të përdorin dhunë kundër popullatës serbe në Veri”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.

Tutje, thuhet se ata që mbështesin Prishtinën po përpiqen me shpejtësi të riorganizojnë FSK-në në ushtri të plotë në mënyrë që të transferojnë ish militantët nën patronazhin e NATO-s.

“Ushtria e Kosovës minon stabilitetin në Ballkan dhe nuk është në përputhje me të drejtat e atyre që jetojnë atje dhe e meritojnë një të ardhme të qetë dhe të sigurt”, përfundon deklarata e MPJ-së ruse.

Kundër Ushtrisë së Kosovës është shprehur edhe Qeveria e Serbisë, zyrtarë të së cilës kanë deklaruar se do të përdorin çdo mekanizëm për ta parandaluar themelimin e saj.