Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të organizojë këtë samit, ku do të mirëpres presidentin rus, Vladimir Putin, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Ata pritet që të promovojnë ruajtjen e armëpushimit në provincën veriperëndimore siriane të Idlibit. Marrëveshja e arritur muajin e kaluar, ka ndaluar Qeverinë e Sirisë që të ndërmarrë një ofensivë në bastionin e fundit të rebelëve, që shumë besonin se mund të shkaktonte një krizë të re refugjatësh.
Tema të diskutimit do të jenë edhe qasja në ndihmat humanitare, përgatitjet për draftimin e një Kushtetute të re, e cila mund të ndihmojë në rindërtimin e shtetit të shkatërruar nga lufta.
Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin tha të premten se qëllimi kryesor i samitit do të jetë “qartësimi i hapave që duhet të ndërmerren për të arritur një zgjidhje politike”.
CCN turk ka raportuar se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu është takuar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov para samitit, por nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë takim.