Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski ka theksuar se ka dyshime për strukturë të organizuar që qëndron pas kërcënimeve.
“Bëhet fjalë për një grup të caktuar e afërt me iniciativën “Bojkotoj”, që kërcënon me jetë deputetët, familjet e tyre etj. Derisa ekzistojnë kërcënime të këtilla ata do të sigurohen”.
Zhvillimet e fundit në gjirin e VMRO-DPMNE-së pritet të jenë në qendër të vëmendjes së mbledhjes së Komitetit të saj Qendror të thirrur për në orën 19:00.
‘Ikja’ e tetë deputetëve dhe vota ‘për’ fillimin e ndryshimeve kushtetuese duket se ka acaruar tejmase fërkimet në udhëheqjen e partisë më të madhe opozitare në vend.
Sipas medias në Shkup, ka mospajtime me mënyrën si u veprua. Sidoqoftë pritet që debati kryesor të përqëndrohet tek ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, që është kushëri i ish-Kryeministrit dhe ish-kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski.