Publikohet harta e pasurisë në Evropë (Foto)

Hartografi Jakub Marian, ka botuar në faqen e tij të internetit një hartë që tregon shpërndarjen e pasurisë në shtetet evropiane.

Të dhënat e paraqitura në hartë janë të bazuara në analizën e firmës shumëkombëshe financiare Credit Suisse, që mat pasurinë duke mbledhur vlerën e aseteve financiare (p.sh. depozitat në bankë) dhe asetet tjera jofinanciare (p.sh. patundshmëritë), duke e zbritur vlerën e borxheve (nëse asetet janë më pak se borxhi, pasuria mund të jetë negative).

Harta e publikuar e Evropës tregon vlerën mesatare të asaj pasurie për një person të rritur në shtet të caktuar, të shprehur në dollarë amerikanë. Harta është publikuar në portalin jakubmarian.com, transmeton rtvaldi.com.

Të dhënat nuk janë të plota për disa vende të Evropës. Për disa vende është përdorur llogaria e bazuar në bilancet e amvisërive që shënojnë se çka ka një shtëpi në ditë të caktuar, se sa ka borxh, e për disa shtete përdoren të dhënat e bazuara veç te pasuria financiare.

Sipas hartës, Sllovenia është vendi më i pasur i ish-Jugosllavisë, i pasuar nga Kroacia. Sipas të asaj që shihet në hartë, Sllovenia është 2.3 herë më e pasur se Kroacia e pesë herë më e pasur se Shqipëria. Në fakt, për Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi autori me asterisk (yll fusnote) tregon se të dhënat nuk i ka shumë të sakta. Ndërsa, për Kosovën ato mungojnë fare.

Shteti me pasurinë më të madhe është Islanda që ka 445 mijë dollarë për një banor të rritur. Dy shtetet tjera më të pasura janë Zvicra e Luksemburgu, të pasuara nga Norvegjia, Franca e Britania më e Madhe.

Shtetet më të varfra në Evropë dalin të jenë Ukraina dhe Bjellorusia, ku pasuria mesatare për një të rritur është 100 dhe 900 dollarë.

Për krahasim me ekonomitë e shteteve tjera, indeksi (pra mesatarja në 1,000 dollarë), është: Japonia – 124; SHBA-të – 56; Kina – 6.7; Brazili – 4.5 dhe India – 1.3.

Për detajet tjera përkitazi me Evropën, shikojeni hartën e postuar më poshtë.