Promovohet libri Gjeopolitika, territori, konflikti, i autorëve Akademik Hivzi Islami dhe Prof. Dr. Arsim Ejupi!

Promovohet libri Gjeopolitika, territori, konflikti, i autorëve Akademik Hivzi Islami dhe Prof. Dr. Arsim Ejupi!

Në mjediset e Akademisë së Shkencave u bë promovimi i librit Gjeopolitika, territori, konflikti, i autorëve Akademik Hivzi Islami dhe Prof. Dr. Arsim Ejupi!

Në praninë e një numri të madh të mysafirëve, kryesisht nga komuniteti akademik dhe të mediave hapjen e bëri Akademik Anton Berishaj. Për përmbajtjen, problemet e trajtuara dhe peshën e librit në cilësinë e recensentëve folën Akademik Muhamedin Kullashi dhe Akademik Frashër Demaj duke paraqitur në mënyrë koncize dhe shterruese çështjet e shtjelluara në libër çfarë janë shtyllat konceptuale teorike të gjeopolitikës, zhvillimin e mendimit gjeopolitik nga Raceli deri te Makinderi, rikthimin e gjeopolitikës pas një kohe të gjatë të stigmatizimit që i ishte bërë asaj, konfliktet e shumta territoriale dhe etnike në Ballkan nga të cilat më së shumti pësuan shqiptarët, synimet ekspansioniste afatgjate serbe, manipulimi me faktorin demografik shqiptar, klima e krijuar antishqiptare.

Për të përmbyllur harkun kohor mëse njëshekullor të zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan në libër bëhet fjalë edhe për “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar.

Si njohës dhe ndjekës të zhvillimeve gjeopolitike në kontekstin historik dhe aktual, autorët nuk lënë pa përmendur as zhvillimet më të fundit pas agresionit rus në Ukrainë të cilat ndryshuan rendin botëror dhe raportet në përmasa planetare.

Një  aspekt tjetër i veçantë i këtij studimi janë edhe paradigmat “Bota serbe” dhe “Bota ruse”, të cilat janë eufemizma për realizimin e qëllimeve ekspansioniste të të dyja shteteve në hapësirat ku sundonin dikur. 

Në vazhdim autorët tërheqin vërejtjen mbi rrezikun e dëmtimit të raporteve miqësore me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në. 

Disa nga problemet shumë komplekse të cilat i trajtojnë autorët janë edhe kufijtë dhe konfliktet territoriale (shembujt e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve, çfarë janë India dhe Pakistani rreth Kashmirit, konflikti arabo-izraelit, problemet territoriale të Kinës me fqinjët, agresioni rus ndaj Ukrainës, etj.

Çështja e kufijve trajtohet në përgjithësi dhe në hapësirat konkrete, sikurse është p.sh. kufiri midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti me Serbinë, përfshirë debatet rreth shkëmbimit të territoreve midis saj dhe Serbisë dhe procesit të demarkimit të kufirit midis Kosovës Malit të Zi.  Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme e disa grupacioneve politike shqiptare të Kosovës.

Recensentët folën edhe për kaptina tjera të trajtuara në libër çfarë janë ato të ujit si burim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve si dhe mbrojtjes ndërkufitare të natyrës në funskion të arritjes dhe mirëmbajtjes së paqes.