Vuçiq: Nuk nënshkruam asgjë, por njëfarë marrëveshje kemi arritur

Vuçiq: Nuk nënshkruam asgjë, por njëfarë marrëveshje kemi arritur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve të gjata në Ohër ka thënë se nuk kanë nënshkruar asgjë, por se kanë arritur “njëfarë marrëveshje”.

Në një deklarim para mediave, Vuçiqi është shprehur i lumtur për këtë, ndërsa ka thënë se për Serbinë është shumë me rëndësi formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër.

Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.