MARSI I KRENARISË KOMBËTARE - shkruan Mr. sc. Shefat Ademi

MARSI I KRENARISË KOMBËTARE - shkruan Mr. sc. Shefat Ademi

Profesioni i mësuesit në terminologjinë shkencore, konsiderohet i shenjtë, sepse përmes mësuesit rrjedhin profesionet, që i zgjedhim në jetë. Mësuesit janë misionarët tanë, që çdoherë shpërfaqin para tyre rrugën e drejtë, se si njeriu të formohet në jetë.

Festa e 7 Marsit, në historinë e popullit shqiptar ndërlidhet me ngjarjet madhore, që sollën kulmin e formimit të kombit tonë. Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887, hapi shtigje të reja në ecurinë e ngjarjeve që rrodhën pastaj. 

Formimi i "Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip" më 1879, nga Komiteti i Stambollit në krye me vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto ideuan, projektin e shtypjes së librave dhe alfabetit shqip për nevojat e shqiptarëve që ishin të robëruar nga osmanët.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, Kongresi Gjuhësor i Arbreshëve të Italisë i mbajtur nga Jeronin de Rada, pastaj vazhdoi me hapjen e shkollës së vashave më 1891, me mësuesese Sevasti Qiriazi, në Prizren, me mësues Mati Logorecin, e shumë të tjera. Sa bukur i këndon Naimi hapjes së shkollës shqipe me vargjet:

Lumja ti moj Korçë o lule,

Që le pas shoqet e tua!

Si trime në ballë u sule.

Të paçim, përjetë hua!

Prandaj, edhe kjo shkollë punoi me Alfabetin e Stambollit, të ideuar nga Sami e Naim Frashëri, ku dhe e brumosën me die edhe Sevasti Qiriazin që do të bëhet mësuesja e parë e shkollës së vashave.

Ismail Kadare në veprën e tij " Mosmarrëveshja- Shqipëria përballë vetvetes", potencon se: në kohën e Rilindjes Kombëtare në Shqipëri kishe më se 1000 shkolla greke, vllehe, bullgare, sllave por shkolla shqipe nuk kishte. 

Shoqëritë patriotike të mërgimit, që ishin në kuadër të Kolonive Shqiptare nëpër botë, ishin rezultati më i madh për formimin e Shkollës së Parë Shqipe në Korçë, ku dhe merita kryesore i takonte edhe shtypit shqiptar që kishte luajtur një rol jashtzakonisht të merituar në ecurinë e këtyre ngjarjeve.

Hapja e shkollës së parë shqipe, hapi rrugë të reja ku shumë ngjarje rrodhën falë saj, deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Mr. sc. Shefat Ademi